Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se me buxhetin prej 10 miliardë eurosh të paraqitur nga qeveria mund të vendoset menjëherë minimumi jetik prej 200 eurosh, të rriten pagat minimale me 50%, pagat mesatare me 30% dhe pensionet me 30%.
Gjatë fjalës në Foltoren e ‘Ripërtëritjes’, Berisha akuzoi qeverinë se fondet publike shpërdorohen dhe vidhen, duke pretenduar se ‘90% e investimeve vidhen’. Sipas tij, duke ulur shpenzimet administrative dhe fondet e investimeve që ai i cilësoi abuzive, mund të sigurohen paratë për rritjen e të ardhurave të qytetarëve. ‘Paratë janë, por ato vidhen’, u shpreh Berisha, duke bërë thirrje për bashkim kundër qeverisë së Edi Ramës.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të bashkohemi siç u bashkuan qytetarët në qershor të këtij viti në bulevardin e Tiranës.
Të bashkohemi për të larguar me çdo kusht Edi Ramën nga pushteti.
Të bashkohemi që sovrani të thotë fjalën e fundit ndaj këtij tirani, ndaj këtij njeriu që ka plaçkitur shqiptarët më shumë se çdo pushtues tjetër.
Ka ardhur një buxhet në parlament miq, një buxhet 10 miliardë euro dhe rrah gjoksin, më i madhi, i gjithi qindarkë për qindarkë vjen nga djersa e ballit tuaj.
E pashë. Çfarë nxora konkluzion?
Çfarë mund të them?
Në mënyrë absolute, pa asnjë lloj shqetësimi, me atë buxhet që nesër vendoset minimumi jetik 200 euro për çdo shqiptar. Po!
Ua them unë këtu, ua tregoj tani me shifra.
Me atë buxhet që nesër rriten rrogat minimale 50%. Mund të rriten më shumë, po prishet raporti dhe duhet ruajtur gjithmonë një raport.
Rriten rrogat mesatare 30%.
Rriten pensionet pa asnjë lloj vështirësie 30%.
Pension në 200 euro s'mund të ketë në Shqipëri, të pjesshëm e kam fjalën se të plotë jo e jo.
Po tani më thoni mua ju, edhe me të drejtë, ku do merren këto? Ua them unë.
Çfarë ka aty?
Aty, para xhepi për hajdutët e administratës, nga 300 milionë që kishim ne, dhe që duhet të jenë tani maksimumi me inflacionin e tjerë 400 milionë, ky ka vendosur 930 milionë.
E dini ç'do thotë kjo?
Kjo do thotë që nëpër zyra bëjnë batërdinë duke vjedhur, se më duhet të rrëzoj këtë mur, se më duhet të meremetoj këtë anë, më duhet të rindërtoj banjën, më duhet të bëj këtë, që të gjitha shpenzime xhepi.
E paimagjinueshme. Trefishi!
Tjetër, ku do i marrim?
Ka përcaktuar 2.2 miliardë euro investime.
Të dashur miq, ju dhe të gjithë qytetarëve u drejtohem me njerëzi, po marrim pak investimet. Nga viti 2005 në vitin 2013 në total investimet e qeverisë kanë qenë gjithsej 4.2 miliardë euro.
Sa është ndërtuar me këto?
Rruga e Kombit; aksi nga Hani i Hotit në Gjirokastër, sepse është ndërtuar Hani i Hotit-Shkodër, Milot- Lezhë, është rindërtuar Rrogozhinë-Lushnje-Fier-Vlorë, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Gjirokastër-Tepelenë.
Është rindërtuar dhe e tëra Rruga e Bregut 70 e sa kilometra, janë ndërtuar 32 kilometra të Rrugës së Arbrit, janë ndërtuar mbi 600 kilometra rrugë që zbrisnin nga akset kombëtare në brigje, janë ndërtuar me qindra kilometra që ngjiteshin nga qendrat urbane drejt Çajupit, drejt Korabit, drejt Vermoshit, drejt Valbonës e të tjerë e të tjerë.
Janë ndërtuar 11 impiante për përpunimin e ujërave të zeza, edhe në Durrës, janë ndërtuar terminale në portin e Durrësit, porti i peshkatarëve, janë thelluar të gjitha portet nga Saranda gjer në Shëngjin. 4.2 miliardë!
U bashkua Elbasani me Tiranën, Korçë-Qafë Plloçë.
U ndërtuan dhe rindërtuan mbi 1200 shkolla dhe objekte arsimore, qindra qendra shëndetësore.
Po mor po, janë të gjitha.
Ky ka investuar në 14 vite 14.5 miliardë euro. Çfarë ka ndërtuar, më thoni pak?
E vetmja rrugë e re është rruga gropa-gropa, Limuth-Qafë Thanë, 20 kilometra.
Të tjerat janë përfundime të rrugëve të mëparshme, të cilat siç e patë vetë, u shembën njëra pas tjetrës sikur të ishin rrugë kashte.
A është kështu?
Çfarë thotë Kontrolli i Shtetit? Kontrolli i Shtetit thotë se 90% të investimeve vidhen.
Atëherë çfarë do bëjmë ne? Po, ua them unë ju këtu. Jo more jo, kurrë, nuk do investohen 2.2 miliardë siç ka përcaktuar ky në buxhet.
Do investohen jo më shumë se 700, maksimumi 800 milionë, po nuk do vidhen ato.
Çfarë do bëhet me atë 1.4 miliardë euro?
Me 1.4 miliardë euro do rriten rrogat e vogla 50%, do rriten rrogat e mesme 30%, do vendoset minimumi jetik 200 euro, do rriten pensionet 30% dhe do teprojë.
Do teprojë se në mënyrë absolute administrata s'do mund të shpenzojë kurrë 930 milionë euro.
Administrata do ketë para për të funksionuar, por nuk do ketë kurrë më shumë se 400 milionë me inflacionin dhe me rritjen e çmimeve.
Pra, ja ku jemi.
Pse ua dhashë këtë shembull? Ua dhashë këtë shembull se nuk duhet zhgënjimi, pesimizmi të na kapë përpara.
Jo, kthesa është absolutisht e mundshme dhe kjo kthesë e madhe që do shënohet me largimin e tij, do bëjë Shqipërinë çdo ditë e më shumë një vend të jetueshëm për shqiptarët.
© SYRI.net
VIDEO/ Berisha: Duhet të bashkohemi, askush nuk fiton duke qëndruar veçmas. Vetëm PD është rritur gjatë këtyre 6 muajve
VIDEO/ Berisha: Rama e bëri Durrësin beton, portet ua dha trafikantëve Luca dhe Troplinëve
VIDEO/ Berisha: Jemi në agun e një fitoreje të vërtetë mbarëshqiptare! Edi Rama i ka kohërat e numëruara