Dhëndri i Sali Berishës kërkoi heqjen e sekuestros për 25 pasuri. Në vlerën e pasurive nën sekuestro nuk përfshihen katër apartamentet në Mynih, Bruksel, Roterdam dhe Budapest, për të cilat SPAK ka evidentuar transferta bankare në vlerën e 1.36 milionë eurove…
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkonte heqjen e masës së sekuestros për 25 pasuri, në kuadër të dosjes “Partizani”.
Malltezi kishte kundërshtuar vendimet e dy shkallëve të Gjykatës së Posaçme, të cilat kishin miratuar dhe lënë në fuqi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pasurive.
Kjo është hera e dytë 7 muaj që Gjykata e Lartë rrëzon Jamarbër Malltezin lidhur me heqjen e sekuestros ndaj pasurive.
Në prill të 2026, Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha iu drejtuan Gjykatës së Lartë për heqjes e sekuestros së pasurive, por trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni e rrëzuan rekursin.
Në vitin 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi sekuestron preventive për 25 pasuri në emër të çiftit të bashkëshortëve, përfshirë apartamente, vila dhe tri kompani, ku Jamarbër Malltezi zotëron aksione të rëndësishme.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë, Malltezi nuk arrin të rimarrë administrimin e pasurive që përfshijnë apartamente, njësi tregtare, truall, vilë dhe kuota në tri shoqëri tregtare.
Por ajo që ka rëndësi në inventarin pasuror të Malltezit është se shifra prej 5.4 milionë eurosh, që përllogarit SPAK, nuk përfshin pasuritë e evidentuara jashtë Shqipërisë.
Në dokumentacionin e akuzës për dosjen “Partizani”, SPAK ka evidentuar transferta bankare për katër apartamente në katër qytete europiane.
Bëhet fjalë për një apartament në Mynih, për të cilin pagesat në rrugë bankare arrijnë në të paktën 450 mijë euro; një apartament në Bruksel me 395 mijë euro; një në Roterdam me 360 mijë euro dhe një tjetër në Budapest me 155 mijë euro.
Vetëm transfertat bankare për këto katër apartamente kapin shifrën e 1 milion e 360 mijë eurove.
Pra, nëse shifrës së pasurive nën sekuestro i shtojmë pagesat për apartamentet jashtë vendit, totali arrin në rreth 6.76 milionë euro. Dhe kjo duke llogaritur vetëm transfertat që SPAK ka evidentuar deri në momentin e komunikimit të akuzave.
Berisha dhe Malltezi po gjykohen në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Partizani”. Ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë lidhet me masën pasurore dhe jo me themelin e akuzave penale.
Pasurite e sekuestruara
Pasuri 102.6 m2
Pasuri apartament me sipërfaqe 208.2 m2 i ndodhur në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë
Pasuria 4/90- G6
Pasuria me numër pasurie nr 370/18 në bashkëpronësi të Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha
Apartament me sipërfaqe 346.1 m2 dhe sipërfaqe të përbashkët 70.3 m2
Apartament me sipërfaqe 356.3 m2 dhe sipërfaqe të përbashkët 68.8 m2
Njësi me sipërfaqe 459.6 m2 dhe sipërfaqe të përbashkët 43.03 m2
Njësi me sipërfaqe 379.6 m2 dhe sipërfaqe të përbashkët 38.7 m2
Njësi me sipërfaqe 459.6 m2 dhe sipërfaqe të përbashët 43.3 m2
Apartamet me sipërfaqe 375 m2 dhe sipërfaqe të përbashkët 31.1 m2
Truall dhe vilë (apartament duplex) me sipërfaqe trualli 187.7 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 76.23 m2 e ndarë në kati përdhe me sip. 76.23 m2, kati i parë me sip. 76.22 m2 dhe veranda me sip. 22.73 m2
Pasuria me sip. 107 m2 Rruga Frosina Plaku, kati përdhe i godinës 9 katëshe, shkalla 2.
Masën 45% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Homeplan shpk në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi.
Masën 100% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Magnet Imo në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi.
Masën 60% të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë Magnet Gym& Fit në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi.



























