Bellingham pranë rinovimit me Real Madridin, do të jetë lojtari i tretë më i paguar në Evropë

Bellingham pranë rinovimit me Real Madridin, do të jetë lojtari i tretë më i paguar në Evropë

19:13, 24/11/2026

Jude Bellingham është shumë pranë rinovimit të kontratës me Real Madridin. Palët kanë hyrë në negociata të avancuara për të firmosur një marrëveshje të re pesëvjeçare, e cila do ta mbajë mesfushorin anglez në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2031.

Pas rinovimeve të Thibaut Courtois, Aurélien Tchouaméni dhe Arda Güler gjatë këtij muaji, drejtuesit madrilenë kanë përqendruar vëmendjen te 23-vjeçari, i cili është pjesë e klubit prej tri sezonesh.

Sipas raportimit të “Daily Mail”, kontrata e re do ta rendisë Bellinghamin në vendin e tretë mes futbollistëve më të paguar në Evropë. Përpara tij do të jenë vetëm Erling Haaland i Manchester City-t dhe Kylian Mbappé, shoku i tij i skuadrës te Real Madridi.

Mesfushori anglez pritet të përfitojë rreth 31 milionë euro neto në sezon, një shifër pothuajse e njëjtë me atë të Vinicius Junior, i cili rinovoi kontratën me madrilenët në gusht deri në vitin 2032.

Në krye të kësaj liste qëndron Haaland me rreth 31.7 milionë euro neto në sezon, i ndjekur nga Mbappé me 31.3 milionë euro. Pas tyre renditen Bellingham dhe Vinicius.

Në këtë klasifikim mbeten pas edhe emra të tjerë të mëdhenj të futbollit evropian, si Harry Kane i Bayern Munichut, me rreth 25 milionë euro neto në sezon, dhe mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, me 21.7 milionë euro.

Bellingham po kalon një sezon pozitiv, me gjashtë gola dhe katër asistime në 17 ndeshje. Ai është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madridit nën drejtimin e trajnerit José Mourinho.

Ndërkohë, klubi madrilen pritet të mbyllë në javët e ardhshme edhe rinovimet e Brahim Díaz dhe Fede Valverde. Të dy futbollistët thuhet se kanë arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratave deri në vitin 2031.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco