E martë, 24 Nëntor 2026 Te Paekspozuarit deri në 23:30 Në vijim ora 23:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Vrau bashkëshorten në sy të katër fëmijëve të tyre, dënohet me burgim të përjetshëm 40-vjeçari shqiptar në Greqi 

Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi dënoi me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin Pandeli Nakoleci, i cili në fund të gushtit 2025 vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, duke e goditur disa herë me sende të forta, në pallatin ku banonte familja në Volos.

Mediat greke shkruajnë se burri e kreu vrasjen në banesën e familjes së tij, në prani të katër fëmijëve të tyre.

Sipas portalit magnesianews.gr, gjyqi në Gjykatën Penale nisi të enjten e kaluar dhe vijoi deri të hënën, kur u shpall vendimi. I pandehuri u shpall fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Gjithashtu, ndaj tij u dha edhe një dënim me një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të cilët, megjithatë, nuk u thirrën për të dëshmuar gjatë procesit gjyqësor.

Reklamë

Pala që mbështeste akuzën foli për dhunë psikologjike, verbale dhe fizike që autori ushtronte ndaj bashkëshortes 36-vjeçare. Sipas Prokurorisë, i pandehuri e kishte planifikuar vrasjen dhe kishte vepruar me paramendim.

Gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari pretendoi se kishte vuajtur dhe vazhdonte të vuante nga probleme të shëndetit mendor, të cilat, së bashku me sjelljen e bashkëshortes së tij, sipas pretendimit të tij, e kishin çuar drejt kryerjes së krimit.

Prokurorja kërkoi shpalljen e tij fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Ajo kërkoi gjithashtu rrëzimin e pretendimit për uljen e përgjegjësisë penale, për shkak të gjendjes së tij të shëndetit mendor.

Avokati mbrojtës kishte kërkuar që klientit të tij t’i njihej përgjegjësi penale e reduktuar, duke iu referuar një çrregullimi psikik të diagnostikuar dhe gjendjes së tij të rënduar psikike, të cilat, sipas mbrojtjes, kishin ndikuar në kryerjen e aktit.

Ai deklaroi gjithashtu në gjykatë se klienti i tij vazhdonte të merrte trajtim me medikamente për problemet e shëndetit mendor edhe gjatë qëndrimit në burg.

Në përfundim, gjykata pranoi propozimin e prokurores dhe e shpalli 40-vjeçarin fajtor për veprat penale për të cilat akuzohej. Njëkohësisht, rrëzoi edhe kërkesën e mbrojtjes për njohjen e rrethanave lehtësuese.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.