E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Vrau gruan në sy të 4 fëmijëve, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm
Bota

Vrau gruan në sy të 4 fëmijëve, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm shqiptarin Pandeli Nakoleci, i cili vrau bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Marjola Nakoleci, në gusht të vitit 2025, në qytetin e Volosit. Përveç dënimit maksimal për vrasjen me dashje, 41-vjeçari u dënua edhe me një vit burg për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Vendimi u shpall nga Gjykata e Jurisë së Përzier në Trikala, e cila e deklaroi unanimisht fajtor shqiptarin për vrasje të kryer në gjendje të qetë psikologjike. Trupi gjykues rrëzoi pretendimet e mbrojtjes për një shpërthim të fortë emocional në momentin e krimit dhe për përgjegjësi të reduktuar mendore, duke mos pranuar asnjë rrethanë lehtësuese.

Gjatë procesit, Nakoleci u përpoq të justifikonte aktin e rëndë me pretendimin se kishte zbuluar një tradhti bashkëshortore dhe se në momentin e ngjarjes nuk kishte qenë në gjendje të kontrollonte emocionet. Ai pretendoi gjithashtu se nuk kishte pasur qëllim ta vriste bashkëshorten, por vetëm ta frikësonte. Megjithatë, këto argumente nuk bindën gjykatën.

Seanca gjyqësore u zhvillua në një atmosferë të rëndë emocionale, pasi në sallë ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të cilët ndoqën procesin ndaj babait të tyre. Sipas raportimeve të mediave greke, fëmijët nuk patën asnjë komunikim me të gjatë seancës.

Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e 22 gushtit 2025, në Volos, ku Pandeli Nakoleci sulmoi me thikë bashkëshorten e tij, duke e goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë kraharorin dhe qafën. Plagët e marra rezultuan fatale për 36-vjeçaren.

Ngjarja ndodhi në prani të fëmijëve të çiftit, të cilët tentuan të ndërhynin për të ndaluar të atin. Pas vrasjes, autori u largua nga banesa dhe qëndroi i fshehur për rreth 29 orë, përpara se policia greke ta lokalizonte dhe ta arrestonte rreth 200 metra larg banesës.

Pas arrestimit, ai kishte deklaruar se e kishte vrarë bashkëshorten për shkak të dyshimeve se ajo e tradhtonte. Këto pretendime u përdorën më pas edhe gjatë procesit gjyqësor në përpjekje për të argumentuar gjendjen e tij psikologjike në momentin e krimit.

Me vendimin përfundimtar, drejtësia greke i dha shqiptarit dënimin maksimal, duke mos pranuar përpjekjet e mbrojtjes për të shmangur burgimin e përjetshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.