Përplasja Rama-Spiropali, Abilekaj: Ka vetëm pakënaqësi
“Përplasja Rama-Spiropali” ka qenë tema e emisionit këtë të martë në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
Për analistin Enton Abilekaj, kjo nuk është një përplasje mes tyre, por një hatërmbetje. Sipas tij, Spiropali, tashmë e mbetur pa pushtet, po hakërrehet ndaj njerëzve të afërt të Edi Ramës.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Çfarë mendoni për përplasjen Rama-Spiropali?
Abilekaj: Nuk ka përplasje Rama-Spiropali. Ka një pakënaqësi të Spiropalit ndaj Ramës, e cila shprehet duke goditur njerëzit e tij të afërt. Spiropali asnjëherë nuk ka thënë diçka që është kundër Ramës. Në kushtet kur Spiropali është pa pushtet, pa pozita dhe pa një lob të vetin politik, nuk mund të themi që mund të përplaset me njeriun më të fuqishëm. Përplasje mund të kishte kur ishte kryetare e Kuvendit, atëherë ishte Rama-Skënderbe. Tani jemi në një fazë të qeverisjes ku njerëz si Spiropali dhe Braçe nuk kanë shumë kohë për të marrë atë që kërkojnë. Jemi në një fazë ku autoriteti i Ramës është vënë në dyshim nga protestat në Bulevard dhe në disa kancelari të huaja, por edhe për pasardhësin e Ramës. Përplasje me Ramën ka Veliaj, por edhe ai është në burg.
Demalia: Unë jam dakord që nuk ka përplasje me Ramën. Asnjëri nga këta nuk ka pasur përplasje me Ramën. Mua më duken më shumë trillime të medias për t’i bërë interesante. Veliajt as në mend nuk i ka shkuar në mendje. Ajo që po ndodh me Spiropalin, këta tani e shohin që po vjen gjysma e mandatit të katërt dhe nuk kanë marrë pushtet. Ata kanë mbetje hatri dhe gjithë këtë po ia shkarkojnë Belinda Ballukut. Kemi 35 vjet që vërtitemi rreth 10 emrave, pa qenë në gjendje të shoqërisë për të folur për një ide, për një projekt, dhe arrijmë këtu që gazetarët donin ta digjnin Velinë te Bashkia, tani janë bërë me Velinë. Këta që donin ta shkatërronin Spiropalin, tani duan ta përdorin. Problemi është se a duhet ta vendosim gishtin te 3-4 vetë dhe të themi që shoqëria jonë ka këta diamantë, por nuk i lënë këta 10 vetë? Por duhet të themi se bashkëpunimi korruptiv i medias me politikën ka prodhuar këtë situatë. Ky është llumi ku jemi. Pa pranuar këtë llum ku jemi, është e kotë që diskutojmë.
Rakipi: Çfarë faji ka media për Elisa Spiropalin? Media e caktoi në detyra?
Demalia: Nëse ti e shkarkon median nga përgjegjësia…
Rakipi: Gabime ne kemi. Media është pjesë e këtij vendi, nuk është Krishti këtu. Media ka probleme serioze. Elisa Spiropalin media e solli në këto detyra?
Demalia: Jo. Media ka detyrë të krijojë një vizion tjetër nga politika.
Rakipi: Media ka një detyrë të thjeshtë: të tregojë atë që ndodh. A e bën këtë? Jo. Por nuk i ndërton media strukturat, nuk e ka bërë media këtë politikë.
Demalia: Por ama, kur politika e emëroi Spiropalin, janë gazetarët që i merrnin rrogë Spiropalit dhe i bënin fjalime.




