Microsoft ka shpallur një nismë “Code Red” për të rishikuar mënyrën se si parandalon dhe reagon ndaj ndërprerjeve të mëdha të shërbimeve, pasi një defekt që zgjati 24 orë nxori në pah mangësi në sistemet inxhinierike dhe reagimin ndaj krizave, sipas memo-ve të brendshme të shqyrtuara nga Reuters.
Ndërprerja e datave 12–13 nëntor preku qeveri nga Australia dhe Japonia deri në Shtetet e Bashkuara, shkaktoi vonesa për kompanitë e tregtimit dhe ndërpreu komunikimet e linjave ajrore, duke shtuar shqetësimet më të gjera mbi cenueshmërinë e infrastrukturës kritike dixhitale. Microsoft deklaroi se incidenti nuk kishte lidhje me aktivitetet kibernetike apo agjentët e inteligjencës artificiale.
Microsoft ia atribuoi ndërprerjen një defekti të pazbuluar në shkallëzimin e Windows, të futur në sistem në muajin korrik. Drejtori ekzekutiv Satya Nadella kërkoi publikisht falje për ndërprerjen, shkruan Reuters.
Shpallja e “Code Red” përfaqësonte nivelin më të lartë dhe më urgjent të alarmit për të adresuar dobësitë në praktikat inxhinierike dhe operacionale të Microsoft, pasi ndërprerja preku Exchange Online, shërbimin e tij të postës elektronike të bazuar në cloud, si dhe Outlook, Teams, asistentin e inteligjencës artificiale Copilot dhe produkte të tjera të Microsoft 365.
Ky ishte incidenti me ndikimin më të madh te klientët në historinë e Exchange Online, tha Jason Henderson, president i M365 Core, në një memo drejtuar punonjësve të premten.
Ai tha se nuk kishte ndodhur kurrë më parë që kaq shumë klientë të mbeteshin pa shërbimin e postës elektronike për një kohë kaq të gjatë. “Code Red do të thotë se kjo është puna me përparësinë më të lartë për ekipin tonë”, shtoi Henderson.
“MJEGULLA E LUFTËS”
Amanda Silver, zëvendëspresidente e Microsoft, e cila mbikëqyr M365 Core dhe Work IQ, platformën e inteligjencës së kompanisë për agjentët e inteligjencës artificiale në vendin e punës, tha në një memo të veçantë të hënën se inxhinierëve iu desh të punonin mes një “mjegulle lufte” ndërsa ndërprerja po zhvillohej.
Pavarësisht angazhimit të personelit më të kualifikuar inxhinierik, ekipet që po merreshin me incidentin shkëmbyen më shumë se 11 mijë mesazhe në 11 biseda në Teams dhe patën vështirësi për të krijuar një panoramë të qartë dhe të unifikuar të hipotezave dhe vendimeve, pasi të dhënat diagnostikuese ishin shpërndarë në sisteme të fragmentuara të brendshme të gjurmimit, tha Silver.
Charles Lamanna, zëvendëspresident ekzekutiv i Microsoft për Copilot, Agjentët dhe Platformën, deklaroi gjatë një shqyrtimi të “Code Red” se komponenti i prekur kishte përjetuar “rreth dhjetë vite dështimesh të pranueshme”, sipas memo-s së Silver.
“Puna jonë nuk përfundon kur shërbimi rikthehet. Ekipet tona vazhdojnë të punojnë pa ndërprerje për të zbatuar me shpejtësi çdo mësim të nxjerrë nga incidenti, ndërsa drejtuesit tanë sigurohen që kjo të jetë përparësia jonë kryesore”, tha një zëdhënës i kompanisë për Reuters, kur u kontaktua lidhur me memo-t.
OBJEKTIVI: RIKTHIMI I SHËRBIMEVE
Në kuadër të “Code Red”, një mobilizim me përparësi të lartë që rezervohet për kriza kritike, Silver përcaktoi pesë fusha pune, të përqendruara te reduktimi i ngarkesës së sistemeve, ndarja gjeografike e trafikut dhe mekanizmat më të shpejtë të rikuperimit.
Microsoft ka vendosur si objektiv që në rastet e ardhshme të ndërprerjeve, zgjidhja e problemit në të gjithë botën të arrihet brenda një ore. Kompania planifikon gjithashtu të përdorë agjentë të inteligjencës artificiale për të ndihmuar inxhinierët të diagnostikojnë më shpejt të dhënat mbi gjendjen e sistemeve.
Henderson tha se do të zhvillojë takime të përditshme me ekipin drejtues të Substrate, i cili mbikëqyr grupin inxhinierik përgjegjës për shërbimet bazë të Microsoft 365, për të ndjekur masat që rrjedhin nga ndërprerja. Ai njoftoi gjithashtu se do të zhvillohen rishikime javore.
Zëdhënësi i kompanisë tha se Microsoft është i përkushtuar jo vetëm për të zgjidhur problemet kur ato ndodhin, por edhe për të bërë gjithçka që është e mundur për të parandaluar ndërprerjet e ardhshme.
VONESAT NË SHPËRNDARJEN E PËRDITËSIMEVE
“Fatkeqësisht, e gjithë puna që kemi bërë ndër vite nuk ishte e mjaftueshme për të na mbrojtur të enjten”, tha Henderson, duke shtuar se kishte kryer një shqyrtim të gjerë të problemeve më të përgjithshme organizative dhe strukturore që lejuan ndodhjen e dështimeve.
Në një memo tjetër, të publikuar më herët këtë muaj dhe të shqyrtuar nga Reuters, Henderson tha se “përditësimet urgjente për shërbimet tona M365 Core” kërkonin shumë kohë për t’u shpërndarë në të gjithë botën.
“Në një incident tjetër të kohëve të fundit, një ndërhyrje urgjente në sistemin në funksionim mori pesë deri në gjashtë ditë për t’u shpërndarë plotësisht në të gjithë botën. Për problemet tona më urgjente të sigurisë, duhet të kalojmë nga zbulimi i tyre te shpërndarja e sigurt në mbarë botën brenda një ore. Është e qartë se ende nuk e kemi arritur këtë objektiv”, shkroi ai.