Sulmi i dytë brenda një jave ndaj rrokaqiellit më të lartë në Riad, plagosen 11 persona Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vijuar një nga traditat më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, duke falur zyrtarisht dy gjela deti, të pagëzuar me emrat Freedom dhe Feathers, në prag të festës së Ditës së Falenderimeve.
Ceremonia u zhvillua të martën në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump u dha të dy shpendëve faljen presidenciale, duke i shpëtuar nga therja dhe konsumimi gjatë festës tradicionale amerikane.
Presidenti deklaroi se po u jepte atyre një “falje të plotë, absolute dhe të pakushtëzuar”, që sipas tij do të thotë se do të jetojnë përgjithmonë.
“Freedom, që nga ky moment, ke një falje të plotë dhe përfundimtare”, u shpreh Trump gjatë ceremonisë.
Ai tregoi gjithashtu se gjeli tjetër, Feathers, ishte larguar me vrap drejt shkurreve, por kjo nuk do të ndikonte në faljen e tij.
Freedom dhe Feathers u prezantuan fillimisht të hënën në hotelin Willard InterContinental në Washington, ku qëndruan në një suitë luksoze përpara vizitës së tyre në Shtëpinë e Bardhë. Këtë vit u zhvillua edicioni i 79-të i ceremonisë kombëtare të prezantimit të gjelave të detit për Ditën e Falënderimeve.
Tradita daton që nga viti 1947, kur Federata Kombëtare e Gjelave të Detit nisi t’i dhuronte presidentit amerikan dy shpendë për festën. Megjithatë, falja presidenciale siç njihet sot u bë traditë në vitin 1989, gjatë presidencës së George H. W. Bush.
Dy gjelat e këtij viti u rritën nga Scott dhe Becky Rightsell, në fermën e tyre në Fort Sybert, në shtetin e West Virginia-s. Për familjen Rightsell, e cila merret me bujqësi prej disa brezash, përzgjedhja për të rritur gjelat presidencialë përfaqëson një vlerësim të veçantë për punën e tyre.
“Ky është si Super Bowl-i i fermerëve që rrisin gjela deti”, deklaroi Scott Rightsell për CBS News.
Ai tregoi se dy shpendët mbërritën në fermë në muajin korrik, kur ishin ende të vegjël. Fermerët u kujdesën që t’i mësonin gradualisht me praninë e njerëzve, zhurmat e forta, kamerat dhe dritat e aparateve fotografike. Përzgjedhja nuk u bë vetëm në bazë të pamjes së jashtme, por edhe të sjelljes së tyre.
“Zgjodhëm ata që kishin temperamentin më të mirë. Duhet të kesh pamje të mirë dhe temperament të mirë”, tha Rightsell, duke shtuar me humor se procesi ishte disi si një konkurs bukurie.
Pas përfundimit të vizitës në Shtëpinë e Bardhë, dy gjelat do të udhëtojnë drejt College Station, në Teksas, ku do të kalojnë pjesën tjetër të jetës në Universitetin Texas A&M.
Ky është viti i parë që gjelat presidencialë do të vendosen në Teksas pas ceremonisë së faljes. Universiteti ka përgatitur një ambient të posaçëm për ta, me kontroll të temperaturës, verandë dhe hapësirë të jashtme ku do të mund të qëndrojnë.
Kujdesi i përditshëm për dy shpendët do t’u besohet gjashtë studentëve universitarë, të përzgjedhur posaçërisht për këtë detyrë.
Madje, sipas drejtueses së Federatës Kombëtare të Gjelave të Detit, Christy Puffenbarger, Freedom dhe Feathers mund të shfaqen edhe në ndeshjen e futbollit amerikan të së premtes mes Universitetit Texas A&M dhe Universitetit të Teksasit.
Top Channel