Shtetet e Bashkuara po përgatiten të rrisin tarifat doganore ndaj Kinës dhe dhjetëra vendeve të tjera, për të cilat administrata Trump pretendon se po dëmtojnë kompanitë amerikane duke mbështetur prodhimin industrial vendas, sipas personave të njohur me planet.
Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, pritet të bëjë publike që këtë javë rezultatet e një hetimi disa mujor mbi subvencionet industriale të Kinës, Bashkimit Evropian dhe 14 vendeve të tjera, thanë këta persona, të cilët paralajmëruan se afatet mund të ndryshojnë.
Greer ka deklaruar se këto subvencione dhe forma të tjera të mbështetjes qeveritare kanë krijuar kapacitete të tepërta industriale në ekonomitë e synuara, duke u mundësuar kompanive të tyre të përmbytin tregjet globale me mallra më të lira dhe të dobësojnë prodhuesit amerikanë.
Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së (USTR) nuk pranoi të komentojë. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Publikimi i rezultateve të hetimit të USTR-së këtë javë mund të ndihmojë në zhvendosjen e vëmendjes nga polemikat që vazhdojnë lidhur me drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe atë që qeveria amerikane dinte për kontrabandimin e pretenduar të çipave të avancuar të inteligjencës artificiale të kompanisë drejt Kinës. Si pasojë e këtij skandali, ligjvënës nga të dyja partitë kanë vënë në pikëpyetje qëndrimin e administratës ndaj Pekinit.
Njoftimi i USTR-së ka të ngjarë të sjellë tarifa më të larta për dhjetëra vende, përfshirë Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut dhe 27 vendet anëtare të BE-së. Tarifat e reja do të përfshijnë shumicën e produkteve të eksportuara nga këto vende, megjithëse ka të ngjarë të përjashtojnë disa mallra industriale, si çeliku, alumini dhe automjetet, të cilat tashmë i nënshtrohen tarifave në bazë të një kompetence të veçantë që lidhet me sigurinë kombëtare.
Normat përfundimtare të tarifave mbeten ende të paqarta, por zyrtarët e administratës kanë deklaruar vazhdimisht se synojnë të vendosin tarifa të ngjashme me ato që Trump përcaktoi në vitin 2025, përpara se Gjykata e Lartë të rrëzonte paketën e parë të tarifave të tij në shkurt të vitit 2026.
Vendet që arritën marrëveshje tregtare me administratën Trump, si Japonia, BE-ja dhe të tjera, ka të ngjarë të kenë një normë të përgjithshme tarifore që do të pasqyrojë marrëveshjet e nënshkruara përpara vendimit të Gjykatës së Lartë, thanë personat e njohur me planet. Kjo do të thotë se BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut ka të ngjarë të përballen me tarifa prej 15% ose më të ulëta, ndërsa vende të tjera, si Vietnami dhe India, mund të përballen me tarifa më të larta, në varësi të marrëveshjeve të tyre me Trump.
Kina ka të ngjarë të përballet me tarifa më të larta se shumë prej vendeve të tjera, thanë këta persona, pasi zyrtarët e Trump kanë deklaruar se subvencionet e saj janë veçanërisht të gjera dhe shkaktojnë çrregullime në ekonominë globale. Administrata mund të përfshijë gjithashtu dispozita që i lejojnë të rrisë tarifat ndaj vendeve nëse kapacitetet e tyre të tepërta industriale përkeqësohen ose nëse ato nuk bëjnë ndryshime në politikat e tyre gjatë negociatave të ardhshme me SHBA-në, shtuan disa prej personave.
Tarifat e reja ka të ngjarë t’u shtohen detyrimeve doganore që burojnë nga një masë tjetër tarifore, e shpallur në korrik, e cila synonte të ndëshkonte vendet që nuk pengonin tregtinë e mallrave të prodhuara përmes punës së detyruar. Kjo masë përcaktoi tarifa nga 10% deri në 12.5% për një grup prej 60 ekonomish, por aktualisht po përballet me një sfidë ligjore në gjykatë, shkruan WSJ.