Për herë të parë, sindikata e madhe në New York feston Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

Sindikata amerikane 32BJ SEIU ka festuar për herë të parë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në një aktivitet të organizuar në selinë e saj qendrore në Manhattan të New Yorkut, në nderim të 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit.
Festimi u mbajt të shtunën, më 21 nëntor 2026, me organizimin e punonjësve shqiptarë të sindikatës dhe në bashkëpunim me drejtuesit e saj. Në aktivitet morën pjesë dhjetëra anëtarë shqiptarë që punojnë në sektorin e banimit dhe atë tregtar, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA.
Presidenti i sindikatës, Manny Pastreich, përshëndeti të pranishmit, ndërsa mesazhe urimi përcollën edhe ish-këshilltari i Bashkisë së New Yorkut, Mark Gjonaj, ambasadori i Shqipërisë në Washington, Ervin Bushati, shefja e Misionit të Shqipërisë në OKB, Suela Janina, si dhe përfaqësuesja e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, Adea Kocmezi.
Gjatë ceremonisë, 32BJ SEIU ndau çmime për zyrtarë, aktivistë të komunitetit shqiptar dhe diplomatë të Shqipërisë e Kosovës.
Programi festiv u shoqërua me valle dhe këngë tradicionale shqiptare nga Shoqata Rugova dhe Grupi i Valleve “Nora e Kelmendit”, ndërsa Mikel Marku, anëtar i sindikatës, interpretoi edhe me çifteli.
Arlind Lela, përfaqësues në terren i 32BJ SEIU në New York, theksoi rëndësinë e këtij organizimi për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe vlerësimin e kontributit të punonjësve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara.
32BJ SEIU është sindikata më e madhe e punëtorëve të shërbimeve të pronave në SHBA, me mbi 185 mijë anëtarë.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët, rreth 30% e anëtarësisë së saj janë shqiptarë, ose afërsisht 60 mijë persona.
Organizatorët kanë bërë të ditur se ky ishte aktiviteti i parë i këtij lloji dhe synojnë që festimi i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë të shndërrohet në traditë të përvitshme brenda sindikatës. /Telegrafi/



































