Autoritetet greke kanë dhënë detaje për ekzekutimin e 52-vjeçarit N. G., i gjetur i vrarë në orët e para të 11 tetorit 2026 pranë zonës së Golfit në Glyfada të Athinës. Hetimet identifikuan dy persona të dyshuar; një 48-vjeçar grek u arrestua më 18 nëntor në Agrinio, ndërsa tjetri, një 48-vjeçar i huaj që mediat greke raportojnë se është shqiptar, është shpallur në kërkim. ndaj të arrestuarit është ngritur akuza për bashkëpunim në vrasje me dashje dhe ai është lënë në burg pas paraqitjes para gjykatës.
Sipas hetimeve, dy autorët udhëtonin me motor dhe i afroheshin viktimës, e cila po lëvizte gjithashtu me motor. Njëri prej tyre hapi zjarr disa herë, duke bërë që viktima të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej; autorët dyshohet se u kthyen dhe qëlluan përsëri para se të largoheshin. Në vendin e ngjarjes policia sekuestronte 10 gëzhoja, ndërsa ekspertiza mjekoligjore konstatoi se vdekja ishte shkaktuar nga plagë të shumta me armë zjarri.
Pas atentatit, dy autorët dyshohet se u drejtuan me motor drejt zonës së Kerateas, ku e lanë motorin në një banesë të izoluar. Aty i priste 48-vjeçari i arrestuar, i cili dyshohet se i mori me makinë dhe i transportoi në një tjetër zonë të Atikës. Nga analizimi i pamjeve dhe provave hetuesit kanë identifikuar 48-vjeçarin e shpallur në kërkim si drejtuesin e motorit të përdorur në atentat.
Gjatë kontrolleve policia gjeti motorin e përdorur, të çmontuar dhe pjesërisht të fshehur; mungon blloku i motorit. Pjesë të tjera u zbuluan në një automjet. U sekuestruan edhe prova digjitale, ndërsa në një tjetër makinë u gjet një kaskë që dyshohet i përkiste drejtuesit të motorit. Autoritetet bëjnë me dije se 48-vjeçari i arrestuar kishte qenë më parë nën hetim për vepra që lidhen me mbështetjen e veprimtarisë së një organizate kriminale dhe ndaj tij ishin vendosur masa kufizuese.
Mediat greke zbardhën edhe të kaluarën kriminale të viktimës: sipas tyre N. G. ishte pjesë e grupit kriminal të Giorgos Moschouris, i njohur si “Thamnakias”, i vrarë në prill 2025. Viktima ishte arrestuar në 2015 si pjesë e grupit, frekuentonte dy lokale nate në zonën bregdetare, dhe ishte përfshirë në incidente me armë në 2018 dhe 2022 ndaj tifozëve të Panathinaikosit. Në 2024 ishte arrestuar për dhunë në familje dhe ishte lënë i lirë me masa kufizuese. Hetimet vazhdojnë për kapjen e 48-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personit që dyshohet se ka qëlluar me armë.
