Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky konfirmon se Ukraina goditi një anije ruse në Gjirin e Finlandës


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se vendi i tij ishte përgjegjës për sulmin me dron të së shtunës ndaj një anijeje mallrash ruse në Gjirin e Finlandës, ndërsa Norvegjia, një mbështetëse e fortë e Kievit, i bëri thirrje Ukrainës të tregojë kujdes në operacione të tilla.

Anije finlandeze, estoneze dhe ruse morën pjesë në një operacion të përbashkët shpëtimi për të shuar zjarrin. Të dielën, një anije ruse e tërhoqi mjetin lundrues drejt ujërave ruse, ku aktualisht është ankoruar në Shën Petersburg.

Zelensky tha se operacioni kishte goditur një objektiv legjitim ushtarak, shkruan Reuters.

“Ne bëmë gjithçka siç duhej”, i tha Zelensky të hënën agjencisë Bloomberg. “Çdo anije që mban flamurin rus, gjithçka që transporton armë ose çfarëdo ngarkese të sanksionuar, e cila mund të përmbajë kush e di se çfarë, është një objektiv legjitim për ne në ujërat territoriale ruse ose në ujërat neutrale”.

Anija Sparta II është një anije mallrash me flamur rus, në pronësi të Oboronlogistika, një kompani ruse transporti detar që ofron shërbime logjistike për Ministrinë ruse të Mbrojtjes, sipas faqes së internetit të kompanisë.

Zelensky tha se sulmi ndodhi në ujërat territoriale ruse. “Ne kishim të gjitha të drejtat për ta bërë këtë, madje edhe më shumë, dhe më pas ndodhi një zhvendosje e caktuar e anijes, ndaj sigurisht që lindin disa pyetje”, u shpreh ai.

Ai pranoi se disa aleatë evropianë ishin “të shqetësuar kur ndodh diçka në Detin Baltik” dhe tha se u kishte udhëzuar ministrave dhe ushtrisë që të “komunikojnë më shumë me partnerët, në mënyrë që ata të kenë informacion të mjaftueshëm dhe të mos ketë surpriza”.

“NEVOJA PËR STABILITET NË ZONAT TONA PËRRETH”

Ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik, tha të martën se po zhvillohej një dialog i vazhdueshëm me Ukrainën lidhur me “nevojën për stabilitet në zonat tona përreth”.

“Të gjitha sulmet do të ndalonin menjëherë nëse Rusia do t’i jepte fund kësaj lufte. Megjithatë, ne jemi të përqendruar te fakti që Ukraina duhet t’i kryejë këto veprime në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, këtë çështje e diskutojmë me ta”, u tha Sandvik gazetarëve.

“Jemi gjithashtu të përqendruar te fakti që ata duhet të respektojnë nevojën tonë për stabilitet në zonat tona përreth dhe aktualisht kemi një dialog të mirë me ukrainasit për këtë çështje”, shtoi ai.

Sandvik po fliste pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me homologun e tij ukrainas, Yevhenii Khmara, për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh mbi një sistem kundër dronëve, me qëllim rritjen e përdorimit të tij në më shumë zona të Ukrainës.

Forcat ruse u kanë nënshtruar Kievin dhe qytete të tjera sulmeve ajrore pothuajse të pandërprera që nga shtatori.

Sandvik nuk tha nëse e kishte diskutuar sulmin në Gjirin e Finlandës me Khmarën gjatë takimit të tyre.

Norvegjia, anëtare e NATO-s, ka hartuar një plan financimi afatgjatë për Ukrainën, me mbështetjen e të gjitha partive në parlament, që parashikon rreth 27 miliardë dollarë për periudhën 2023–2030. Kjo e bën atë një nga mbështetëset më bujare të Kievit për frymë të popullsisë.