“I thyen vazot që të parkojë makinën”, banorët e pallatit në Mihal Grameno denoncojnë dëmtimet dhe kërcënimet

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 24.11.2026, 23:35

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një konflikt të përsëritur mes banorëve të një pallati në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë dhe një personi që, dëmton vazhdimisht vazot me lule të vendosura në ambientet e përbashkëta për të penguar parkimin e automjeteve.

Banorët shpjegojnë se kanë vendosur vazo me lule me qëllim që fëmijët të kenë hapësirë të lirë për të luajtur dhe oborri i pallatit të mos kthehet në parking. Sipas tyre, asambleja e banorëve ka vendosur që në këto ambiente të përbashkëta të mos parkohen makina, por një person nuk e respekton këtë vendim dhe prej kohësh i dëmton vazot për të krijuar hapësirë për automjetin e tij.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, të dërguara në redaksi, shfaqet një person duke ndërhyrë te vazot e vendosura pranë automjeteve. Banorët thonë se dëmtimi i fundit ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 15:20, ndërsa pretendojnë se raste të ngjashme janë përsëritur disa herë.

Përveç dëmeve materiale, qytetarët ngrenë shqetësimin se personi në fjalë i ka ofenduar dhe kërcënuar. Ata thonë se kanë telefonuar disa herë Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, por sipas tyre, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e situatës.

Pas kërkesës së banorëve, Bashkia ka vendosur dy blloqe betoni për të penguar parkimin në atë hapësirë. Megjithatë, qytetarët thonë se kjo ndërhyrje nuk e ka zgjidhur konfliktin dhe se personi vazhdon të sillet sikur mund të bëjë çfarë të dëshirojë, duke pretenduar se ka miqësi me persona në polici.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, verifikimin e pamjeve dhe marrjen e masave për të garantuar respektimin e hapësirave të përbashkëta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit