Nga luftëtarë separatistë në shoferë taksie e mësues, jeta e vështirë pas luftës në Kamerun
Dhjetë vjet pas nisjes së konfliktit separatist në rajonet anglishtfolëse të Kamerunit, ish-luftëtarët që kanë braktisur armët përballen me vështirësi në rikthimin në jetën civile. Disa prej tyre refuzojnë t’i bashkohen programeve shtetërore të çarmatimit dhe riintegrimit, nga frika e arrestimit apo keqtrajtimit, ndërsa të tjerë që kanë hyrë në këto programe ankohen për mungesë mbështetjeje dhe premtime të pambajtura.
Collins Mbah, i njohur gjatë kohës së luftës me nofkën “Commander No Sorrow”, tregon se mes viteve 2016 dhe 2020 ka luftuar kundër forcave qeveritare në rajonin veriperëndimor të Kamerunit dhe ka vrarë disa ushtarë. Sot, në qytetin bregdetar të Doualas, ai ushtron një profesion krejt tjetër: është shërues tradicional.
Mbah thotë se vendosi të largohej nga lufta e armatosur pasi kuptoi se bashkëluftëtarët e tij po ktheheshin kundër vetë njerëzve që pretendonin se po mbronin. Megjithatë, ai refuzon kategorikisht t’i bashkohet programit qeveritar për çarmatimin, demobilizimin dhe riintegrimin (DDR).
“Braktisja e luftës dhe bashkimi me programin qeveritar të çarmatimit do të nënkuptonte tradhti ndaj njerëzve”, shprehet ai për Al Jazeera. Mbah thotë se nuk dëshiron të ketë më asnjë lidhje me qeverinë apo konfliktin, por kërkon vetëm qetësi.
Një dekadë konflikt në rajonet anglishtfolëse
Tetori shënoi dhjetë vjet nga shpërthimi i protestave në rajonet anglishtfolëse të veriperëndimit dhe jugperëndimit të Kamerunit, të cilat më vonë u përshkallëzuan në një konflikt të armatosur mes separatistëve dhe forcave qeveritare.
Kriza nisi në fund të vitit 2016, kur avokatë dhe mësues anglishtfolës protestuan kundër emërimit të gjyqtarëve frankofonë, të panjohur me sistemin juridik britanik, në gjykatat e këtyre rajoneve. Pakënaqësi pati edhe për caktimin e mësuesve frankofonë, të cilët nuk zotëronin mjaftueshëm gjuhën angleze, në shkollat e zonave anglishtfolëse.
Protestat u përballën me shtypjen e autoriteteve dhe më pas u shndërruan në një lëvizje separatiste që kërkon pavarësinë e dy rajoneve, të cilat mbështetësit e saj i quajnë “Ambazonia”.
Sipas organizatave humanitare dhe të të drejtave të njeriut, konflikti ka shkaktuar mijëra viktima, ka zhvendosur qindra mijëra persona dhe ka ndërprerë procesin arsimor në të dy rajonet. Të dhënat e publikuara në tetor nga organizata jofitimprurëse kamerunase Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Afrikë (CHRDA) sugjerojnë se numri i të vrarëve mund të arrijë deri në 10 mijë.
Përplasjet vazhdojnë, ndërsa grupet separatiste kryejnë sulme dhe rrëmbime, kurse qeveria vijon operacionet ushtarake. Paralelisht, autoritetet kanë nisur një nismë dialogu në komunitete, përmes së cilës synojnë të bindin luftëtarët të dorëzojnë armët dhe të hyjnë në qendrat e riintegrimit.
Kryeministri Joseph Dion Ngute e nisi këtë nismë në Buea, kryeqytetin e rajonit jugperëndimor, në shtator, dhe në Bamenda, kryeqytetin e rajonit veriperëndimor, më 15 tetor. Në dy aktivitetet u prezantuan 55 luftëtarë që kishin hequr dorë nga lufta e armatosur: 25 në jugperëndim dhe 30 në veriperëndim.
Jeta pas luftës, mes frikës dhe pasigurisë
Megjithëse është larguar nga rebelimi, Mbah thotë se emri i tij vijon të jetë në listën e personave të kërkuar nga qeveria. Pa një kartë identiteti kombëtare, ai e ka të vështirë të lëvizë lirshëm në Douala dhe shpesh detyrohet të shkojë në periferi për të mbledhur bimë mjekësore.
Ai tregon se njohuritë për mjekësinë tradicionale i ka marrë që në fëmijëri dhe se gjatë luftës përdorte amuletat dhe përzierjet bimore për të parashikuar rreziqet. Sot, thotë se të njëjtat njohuri i përdor për të ndihmuar njerëzit. Megjithatë, nuk qëndron gjatë në të njëjtën lagje, nga frika se mund të arrestohet.
Një tjetër ish-luftëtar, 28-vjeçari Peter Mosongo, punon sot si drejtues taksie me motor në Buea. Ai u largua nga lufta në vitin 2019, pasi ishte përfshirë në të një vit më parë për të mbrojtur familjen e tij. Vendimin për t’u larguar e mori pasi pa, sipas tij, vrasje pa dallim të civilëve nga bashkëluftëtarët.
Mosongo thotë se pas largimit nga grupi separatist mori kërcënime dhe se babai i tij u rrëmbye për ta detyruar të tregonte vendndodhjen e tij. Ai nuk iu bashkua programit DDR, pasi kishte frikë se mund të përfundonte në burg. Sipas tij, qarkullonin edhe zëra se disa prej personave që dorëzonin armët vriteshin në heshtje.
Ai tregon gjithashtu se ka humbur dy kushërinj gjatë konfliktit.
Edhe Richard Bende, një tjetër ish-luftëtar, u largua nga rebelimi në vitin 2019, pasi besonte se lëvizja ishte kthyer në një mjet për larjen e hesapeve personale. Pasi kishte luftuar kundër forcave qeveritare në Bamusso, në rajonin jugperëndimor, ai punon sot si mësues i historisë dhe gjeografisë në një shkollë të mesme. Ashtu si Mbah dhe Mosongo, ai shmangu programin e riintegrimit për shkak të shqetësimeve mbi trajtimin e ish-luftëtarëve në qendrat shtetërore.
Ankesat për programin e çarmatimit dhe riintegrimit
Paul Mukete, i cili luftoi në Kumba nga viti 2017 deri në vitin 2020 me nofkën “King of Vultures”, zgjodhi një rrugë tjetër dhe iu bashkua programit qeveritar.
Megjithatë, gjashtë vjet pas hyrjes në qendrën DDR në qytetin Tiko, në jugperëndim të vendit, ai thotë se nuk ka përfituar mbështetjen e premtuar. Përveç trajnimeve për rritjen e shpendëve dhe derrave, Mukete pretendon se nuk ka marrë asnjë shërbim të kujdesit psikologjik.
Ai tregon se ish-luftëtarët u kanë dhënë informacione inteligjence forcave ushtarake, të cilat më pas janë përdorur për të vrarë separatistë që refuzonin të dorëzonin armët.
Sipas tij, në qendër ndodheshin rreth 600 persona, por shumë prej tyre janë larguar të zhgënjyer. Disa, sipas Muketes, iu rikthyen luftës dhe u vranë. Sot, 29-vjeçari dhe baba i tre fëmijëve, siguron të ardhurat e familjes përmes punëve të rastit.
Rastet e ish-luftëtarëve kanë ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e programit të riintegrimit dhe aftësinë e tij për t’i ndihmuar ata të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme larg konfliktit.
Fonbeh Hedwick Chia, specialist i shëndetit mendor dhe themelues i organizatës Living Vine Mental Health Services në Bamenda, thotë se si luftëtarët, ashtu edhe civilët në rajonet anglishtfolëse janë ekspozuar ndaj traumave psikologjike.
Sipas tij, qendrat e çarmatimit dhe riintegrimit nuk ofrojnë mbështetjen terapeutike të nevojshme për rehabilitimin e ish-luftëtarëve. Ai vlerëson se rreth 800 persona kanë hequr dorë nga lufta e armatosur.
Chia kritikon qeverinë se është më shumë e interesuar për propagandën që shoqëron dorëzimin e armëve sesa për mirëqenien afatgjatë të ish-luftëtarëve. Ai thekson se këta persona kanë nevojë për trajtim psikologjik për të përballuar traumat e shkaktuara nga aktet e dhunës që kanë kryer apo kanë dëshmuar gjatë konfliktit.
Pa një rehabilitim të përshtatshëm, paralajmëron ai, ish-luftëtarët rrezikojnë të mbeten të margjinalizuar dhe të kthehen në një burim të ri destabiliteti.
Rrënjët historike të krizës separatiste
Kriza në rajonet anglishtfolëse të Kamerunit i ka rrënjët në të kaluarën koloniale të vendit. Territori u kolonizua fillimisht nga Gjermania në vitin 1884, por pas Luftës së Parë Botërore u nda mes Britanisë dhe Francës.
Kameruni francez fitoi pavarësinë në vitin 1960. Një vit më vonë, Kameruni Jugor, që administrohej nga Britania, votoi në një referendum të organizuar nga Kombet e Bashkuara për t’iu bashkuar Republikës së pavarur të Kamerunit. Kështu u krijua një shtet federal.
Megjithatë, ky organizim u shpërbë në vitin 1972, pas një referendumi të kontestuar, duke i dhënë fund statusit federal të rajoneve anglishtfolëse.
Ndryshe nga konfliktet e tjera që karakterizohen nga lëvizje rebele me një strukturë të centralizuar komanduese, rebelimi separatist në Kamerun nuk ka një udhëheqje të vetme. Dhjetëra fraksione të vogla veprojnë në rajonet veriperëndimore dhe jugperëndimore, disa prej të cilave marrin financime dhe armë nga grupe të diasporës.
Konflikti i zgjatur është shoqëruar me shkelje të të drejtave të njeriut nga të dyja palët, si forcat qeveritare, ashtu edhe separatistët. Disa grupe të armatosura janë përfshirë gjithashtu në veprimtari kriminale, përfshirë rrëmbimet për shpërblim.
Chris Roberts, politolog në Universitetin e Calgary-t në Kanada, argumenton se kriza nuk lidhet aq shumë me dallimet gjuhësore, sesa me dekada të tëra të qeverisjes së dobët dhe një sistem politik që ka mbajtur të njëjtin president në pushtet që prej vitit 1982.
Megjithëse qeveria ka deklaruar vazhdimisht se lufta ka përfunduar, Roberts thekson se përplasjet, pritë dhe sulmet e vazhdueshme tregojnë të kundërtën.
Sipas tij, zgjidhja e konfliktit kërkon reforma politike në kryeqytetin Jaunde. Ai e cilëson zgjedhjen presidenciale të tetorit 2025 si të manipuluar në mënyrë strategjike dhe shprehet se ajo ofron pak shpresë për zgjidhjen e krizës.
Roberts paralajmëron gjithashtu se një krizë e ardhshme e tranzicionit presidencial mund të krijojë mundësi për reforma, por njëkohësisht të rrezikojë destabilizimin e vendit.
“Ky konflikt nuk do të zgjidhet përmes një zgjidhjeje ushtarake”, përfundon ai.
Gati 1 ton kokainë e fshehur mes portokalleve, arrestohen 8 persona në Londër
‘Sputnik-S’ kundër Starlink: Çfarë ndodh kur një armë bërthamore shpërthen në hapësirë?
Huthët godasin për herë të dytë ndërtesën më të lartë të Riadit (VIDEO)
- 03:04 Infarkti dhe goditja në tru mund të paralajmërohen deri në 30 vite më herët
- 01:16 Milani përgatit ofertën 70 milionë euro për Endrick, gati edhe fanella me numrin 10
- 00:05 Gati 1 ton kokainë e fshehur mes portokalleve, arrestohen 8 persona në Londër
- 22:39 Gazetari Ferhati zbardh detaje nga atentati në Fier: Në makinë u gjetën 4 armë, pista kryesore hakmarrja
- 22:36 “Përdorën armë MP5, janë vrasës me pagesë”, Karamuço: Ja me çfarë grupi kemi të bëjmë
- 22:03 Çipa: Ja çfarë kërcënimi po i bën Erion Veliaj, Edi Ramës