Mbi pesë orë çdo ditë të shpenzuara për gatimin, pastrimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve dhe familjarëve, pa asnjë shpërblim financiar.
Kjo është mesatarja e kohës që gratë në Shqipëri i kushtojnë punës së papaguar, ndërsa burrat shpenzojnë për të njëjtat përgjegjësi vetëm rreth 50 minuta në ditë.
Raporti i UN Women, “Vlerësimi i punës së kujdesit: Përafrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian”, i publikuar në vitin 2026, evidenton se gratë shqiptare i kushtojnë 21.74% të kohës së tyre ditore punës së papaguar, kundrejt vetëm 3.47% të burrave.
Diferenca është më shumë se gjashtëfish, duke reflektuar një shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive familjare, me pasoja të drejtpërdrejta në pjesëmarrjen në tregun e punës, të ardhurat dhe mundësitë për zhvillim profesional.
Në vitin 2024, 30.7% e grave ishin jashtë tregut të punës, krahasuar me 17.7% të burrave. Ndër personat joaktivë në tregun e punës, një në katër gra raportonte punët e shtëpisë si përgjegjësinë kryesore, kundrejt më pak se 1% të burrave.
Pabarazia nuk prek vetëm gratë që janë jashtë tregut të punës. Edhe për ato që janë të punësuara, angazhimi i lartë në punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj familjarëve kufizon kohën në dispozicion për zhvillim profesional, avancim në karrierë dhe përfshirje në aktivitete të tjera ekonomike.
Në një treg pune që përballet me tkurrjen e fuqisë punëtore, përgjegjësitë familjare të papaguara përbëjnë një pengesë për shfrytëzimin e plotë të kapitalit njerëzor në vend.
Një kontribut ekonomik ende i pamatur
Megjithëse puna e papaguar mundëson funksionimin e familjeve dhe mbështet aktivitetin ekonomik të anëtarëve të tjerë të tyre, vlera monetare e këtij kontributi mbetet kryesisht e padukshme në statistikat ekonomike.
Shqipëria ende nuk ka një strategji gjithëpërfshirëse për ekonominë e kujdesit, ndërsa politikat që lidhen me këtë sektor janë të shpërndara në dokumente dhe ligje të ndryshme, thuhet në raport.
Një zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim është miratimi i ligjit nr. 64/2025 “Për Barazinë Gjinore”, i cili njeh zyrtarisht punën e papaguar si kontribut në zhvillimin e shoqërisë dhe të familjes.
Ligji parashikon gjithashtu promovimin e orareve fleksibël, punës me kohë të reduktuar dhe punës në distancë, me qëllim lehtësimin e balancës ndërmjet jetës profesionale dhe asaj familjare.
Megjithatë, sipas UN Women, zbatimi efektiv i këtyre dispozitave kërkon ndryshime të mëtejshme ligjore dhe miratimin e akteve nënligjore.
Raporti nënvizon se investimet në shërbimet publike të kujdesit, veçanërisht në çerdhe, kopshte dhe shërbime për të moshuarit, mund të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe, rrjedhimisht, në zhvillimin ekonomik të vendit./Monitor.al/
© SYRI.net