Mblidhen gjashtë komisione parlamentare, në rend dite raportimi i ministres Rizvanolli
Komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot, mbledhje, në të cilat do të shqyrtohen çështje që lidhen me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, raportet e auditimit, buxhetin për vitin 2027, marrëveshjet për kredi në sektorin e shëndetësisë dhe të drejtat e komuniteteve.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione do të mblidhet në orën 09:00. Në këtë mbledhje do të zhvillojë takim me eksperten e propozuar nga Instituti Nacional Demokratik (NDI), ku temë diskutimi do të jenë çështjet lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.
Në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili do të shqyrtojë raportet e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Ekonomisë, KOSTT-it dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për vitin 2025.
Në këtë mbledhje është e ftuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa për shqyrtimin e raporteve të KOSTT-it dhe KEK-ut janë ftuar kryeshefët ekzekutivë dhe kryesuesit e bordeve të këtyre ndërmarrjeve.
Po ashtu, në orën 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ky komision do të shqyrtojë Projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, sipas fushëveprimit të tij.
Në orën 11:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet, ku në rend dite janë shqyrtimi i dy projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë në sektorin e shëndetësisë. Njëra marrëveshje është ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar”, ndërsa tjetra ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane të Investimeve për projektin e përmirësimit të pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës. Ky komision do të shqyrtojë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, raportin vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit për nëntëmujorin e vitit 2026.
Ndërkaq, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim do të mbajë dy takime. Në mbledhjen e parë, që nis në orën 11:30, do të shqyrtojë gjendjen e zbatimit të legjislacionit që garanton të drejtat e komuniteteve. Në orën 12:30, i njëjti komision do të zhvillojë takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux.















