Porto Riko ka arsye për të festuar, pasi përfaqësuesja e tij, Jennifer Barreto, është shpallur fituese e konkursit të bukurisë “Miss Universe 2026”, duke rikthyer kështu kurorën prestigjioze në vendin e saj.

Edicioni jubilar, i 75-ti me radhë i këtij spektakli, u mbajt të martën mbrëma në San Juan, në sallën “Coliseo de Puerto Rico José Miguel Agrelot”.


Barreto, 27 vjeçe, me profesion psikologe dhe punonjëse sociale, shënoi gjithashtu një moment historik në këtë garë, duke u bërë nëna e parë që fiton titullin “Miss Universe”. Ajo është nënë e një vajze, të quajtur Penelope. Kurorën ia dorëzoi fituesja e vitit të kaluar, Fátima Bosch.

Përfaqësuesja e vendit mikpritës u prit me duartrokitje dhe brohoritje të shumta nga publiku vendas, ndërsa fitorja e saj i siguroi Porto Rikos kurorën e gjashtë në historinë e këtij konkursi.

Para saj, këtë sukses e kishin arritur Marisol Malaret në vitin 1970, Deborah Carthy-Deu në vitin 1985, Dayanara Torres në vitin 1993, Denise Quiñones në vitin 2001 dhe Zuleyka Rivera në vitin 2006.

Në pesëshen finaliste u renditën gjithashtu përfaqësueset e Filipineve, Zelandës së Re, Venezuelës dhe Republikës Dominikane.

Në garën e këtij viti morën pjesë përfaqësuese nga më shumë se 110 shtete. Spektakli u prezantua nga Mario Lopez dhe R’Bonney Gabriel, fituesja e “Miss Universe 2022”.

Mes 117 konkurrenteve këtë vit kishte 22 gra me tituj master, pesë mjeke dhe dhjetë nëna. Gjatë mbrëmjes u bë e ditur gjithashtu se edhe edicioni i 76-të i konkursit do të mbahet në Porto Riko.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Kroacisë, Antea Mršić, nuk arriti të kualifikohej në mesin e 30 më të mirave.

Gjatë konkursit, Barreto iu përgjigj edhe komenteve se fakti që përfaqësonte vendin organizator mund t'i jepte përparësi në garë. Ajo theksoi se dëshiron që publiku ta vlerësojë për punën dhe përkushtimin e treguar, e jo t'ia atribuojë suksesin vetëm faktit se përfaqëson Porto Rikon.

Foto: Profimedia

Rrugëtimi i Jenniferit drejt këtij titulli ishte ndryshe nga ai i shumë konkurrenteve të tjera. Para se të merrte pjesë në garën për “Miss Universe Porto Riko”, ajo nuk kishte konkurruar asnjëherë në spektakle bukurie. Këtë mundësi e pa si një platformë për të promovuar çështjet që lidhen me profesionin e saj.

Ajo ka përfunduar studimet në psikologji, ka dy diploma masteri në psikologji dhe punë sociale, si dhe specializime në vlerësimin e nevojave të komunitetit, ndërhyrjet në rastet e traumave, mbrojtjen e fëmijëve, dhunën në familje dhe parandalimin e vetëvrasjeve.

Që nga viti 2021, Barreto ka punuar për ushtrinë amerikane në bazën Fort Cavazos në Teksas, ku ishte e angazhuar si edukatore dhe specialiste për ndërhyrje në situata krize. Ajo ka ofruar mbështetje për viktimat e dhunës në familje, ka punuar me familjet ushtarake dhe ka trajnuar drejtuesit për strategjitë e parandalimit të dhunës.

Ajo ka shprehur shpresën se kurora e re do t'i mundësojë të arrijë te një numër edhe më i madh njerëzish dhe të vazhdojë misionin e saj për të ndihmuar të tjerët.

Foto: Profimedia

Gjatë një prej pyetjeve në konkurs, konkurrentet u pyetën se cilën vlerë njerëzore nuk duhet ta humbasim në epokën e inteligjencës artificiale. Barreto u përgjigj se teknologjia nuk duhet të zëvendësojë ato vlera që na përcaktojnë si njerëz.

Ndërsa në raundin final, kur u pyet se çfarë u nevojitet më së shumti liderëve të sotëm, ajo vuri në pah rëndësinë e dëgjimit të komunitetit dhe të kuptuarit të nevojave të njerëzve.

Barreto tha se shpreson të lërë një ndikim të qëndrueshëm përmes punës së saj, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të fortë.

Përmes këtij konkursi, Jennifer përcolli edhe një mesazh për gratë në mbarë botën, duke i inkurajuar të besojnë në veten e tyre dhe të ndërtojnë një identitet aq të fortë sa të mos lejojnë askënd ta lëkundë atë.

Ajo theksoi se gratë nuk duhet të përpiqen t'i përshtaten një modeli të vetëm të përsosmërisë, por t'i pranojnë të gjitha anët e personalitetit të tyre dhe të synojnë të jenë të paharrueshme, në vend që të përpiqen të jenë perfekte.

Problemet dhe incidentet që shoqëruan konkursin

Foto: Profimedia

Edhe edicioni i këtij viti nuk kaloi pa vështirësi. Disa konkurrente nga shtetet afrikane nuk arritën të merrnin pjesë për shkak të problemeve me vizat, ndërsa në rrjetet sociale qarkulluan pamje të disa prej pjesëmarrëseve duke rrëshqitur në pistën e improvizuar me rërë.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Francës u filmua në karrocë invalidësh, pasi kishte pësuar një lëndim gjatë provave të konkursit.

Edhe edicioni i kaluar ishte shoqëruar me polemika të shumta, përfshirë përplasjet mes drejtuesve të organizatës dhe konkurrenteve, si dhe dorëheqjet e disa anëtarëve të jurisë.

Foto: Profimedia

Kurorëzimi i Fátima Bosch ishte zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, pas disa kontroversave, përfshirë edhe një video që u bë virale, ku drejtori ekzekutiv Nawat Itsaragrisil kritikonte publikisht Bosch.

Një tjetër incident i rëndë kishte ndodhur me përfaqësuesen e Xhamajkës, Gabrielle Henry, e cila ishte rrëzuar nga skena, duke pësuar një dëmtim traumatik të trurit. Më vonë, ajo kishte ngritur padi ndaj organizatës “Miss Universe”. /Telegrafi/