Reshje shiu e dëbore, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës?
Masat ajrore të qëndrueshme do të vijojnë të ndikojnë kushtet atmosferike në vend gjatë orëve të para të ditës, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët dhe me vranësira të pakta.
Por situata pritet të ndryshojë gradualisht gjatë pasdites, kur vranësirat do të bëhen më të dendura në të gjithë territorin.
Në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës priten reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat malore përgjatë kufirit lindor do të ketë edhe reshje dëbore.
Krahas reshjeve, vendi do të përfshihet edhe nga erëra të forta, të cilat pritet të arrijnë shpejtësinë deri në 75 km/h, kryesisht nga drejtimi jugor.
Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje në të dyja vlerat ekstreme ditore. Ato do të luhaten nga 1°C në Peshkopi, si vlera minimale, deri në 18°C në Sarandë, ku pritet të regjistrohet temperatura maksimale.
Ndërkohë, era e fortë jugore do të shkaktojë dallgëzim në brigjet detare, me forcë 5-6 ballë.




