Kukësi është zgjuar këtë mëngjes nën pushtetin e mjegullës së dendur dhe temperaturave të ulëta, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve në disa zona të qytetit.
Temperaturat në qytet kanë zbritur në -2 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore, në lartësi mbi 800 metra mbi nivelin e detit, termometri ka shënuar deri në -6 gradë. I ftohti ka favorizuar krijimin e ngricave në rrugë, duke shtuar rrezikun për drejtuesit e mjeteve.
Kushte të vështira raportohen edhe në aksin e Rrugës së Kombit, ku mjegulla ka reduktuar ndjeshëm fushëpamjen, duke kërkuar më shumë vëmendje gjatë udhëtimit.
Në këto kushte, drejtuesit e automjeteve duhet të shmangin shpejtësinë e lartë, të mbajnë distancën e nevojshme nga mjetet e tjera dhe të përdorin dritat e përshtatshme për qarkullim në kushtet e mjegullës.
Gjithashtu, apelohet për shmangien e parakalimeve dhe manovrave të nxituara, pasi kombinimi i ngricave dhe dukshmërisë së kufizuar rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.