Vrasja e dyfishtë në Fier/ Dyshime për atentat të mirëorganizuar - Autorët ngatërruan shënjestër, qëlluan mbi nipin, pastaj…

Vrasja e dyfishtë në Fier/ Dyshime për atentat të mirëorganizuar - Autorët ngatërruan shënjestër, qëlluan mbi nipin, pastaj…

08:53, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me vrasjen e dyfishtë të Selami Hasanit dhe nipit të tij, Jakup Hasani, ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Fierit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të atentatit, ndërsa burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autorët dyshohet se mund të kenë ngatërruar shënjestër të përcaktuar.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Selami Hasani prej disa ditësh po kryente punime në murin rrethues të banesës, të cilin po e riparonte dhe po e ngrinte për ta bërë më të lartë.

Ndërkohë, një tjetër pistë që po verifikohet lidhet me praninë e një droni në zonën e lagjes  rreth tre-katër ditë përpara atentatit. Ende nuk dihet nëse fluturimi i tij ka lidhje me ngjarjen, por ky detaj po shihet në kuadër të hetimeve.

Sa i përket dinamikës së krimit, burimet bëjnë me dije se automjeti tip Volvo, me ngjyrë të bardhë, dyshohet se ka mbërritur në zonë me tre persona në bord. Shoferi ka qëndruar në automjet me makinën ndezur afro10 metra më sipër, ndërsa dy persona të tjerë, të veshur me bluza me kapuç dhe xhupa, kanë zbritur dhe janë afruar drejt banesës.

Në momentin që është dëgjuar zhurma e automjetit kur ka marr kthesën, nga banesa ka dalë fillimisht Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit, për të parë se çfarë po ndodhte. Ai është qëlluar me armë zjarri nga autorët.

Sipas të njëjtave burime, dyshohet se në vijim ka pasur një telefonatë, përmes së cilës autorët janë njoftuar se kishin gabuar shënjestër dhe se personi që qëlluan nuk ishte Selami Hasani, por nipi i tij Jakupi që qëndronte tek ai.

Pak çaste më pas, punë sekondash pas zhurmave dhe të shtënave, nga poeta e oborrit ka dalë edhe Selami Hasani. Në këtë moment, dy autorët kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri armësh, duke i shkaktuar plagë fatale. Disa banorë që jetojnë pranë banesës së viktimës i kanë thënë policisë se kishin dëgjuar të shtëna të "mbytura" si plasje kapsollash për fëmijë që luajnë.

Pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi nga zona. Vetëm pak minuta më vonë, automjeti tip Volvo është gjetur i djegur, ndërsa dyshohet se personat e përfshirë në krim janë larguar me një automjet tjetër, në drejtim të Vlorës.

Një nga pistat që po hetohet është edhe ajo e një vrasjeje me pagesë, pasi dyshimet janë se atentati mund të mos ketë qenë një konflikt i çastit, por një veprim i planifikuar më herët. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e krimit apo për identitetin e autorëve.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për analizimin e kamerave të sigurisë, gjurmimin e automjeteve dhe verifikimin e çdo prove që mund të çojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të dyfishtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco