Femicidet, raporti tronditës i OKB: Shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë Dronët detarë pa pilot po shndërrohen në një kërcënim gjithnjë e më serioz për sigurinë detare dhe ekonominë botërore. Nga Mesdheu në Detin e Zi dhe deri në Gjirin e Finlandës, këto mjete po përdoren gjithnjë e më shumë në operacionet ushtarake, duke vënë në rrezik edhe korridoret ndërkombëtare të transportit të mallrave dhe energjisë.
Zgjerimi i luftës detare me dronë mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për tregtinë globale, përmes sulmeve ndaj anijeve tregtare, cisternave të naftës dhe infrastrukturës portuale.
Një prej episodeve më të fundit është sulmi në portin e Bengazit në Libi, ku, sipas pretendimeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Ukraina përdori shtatë dronë detarë të prodhimit vendas për të fundosur korvetën ruse “Merkury”. Në sulm u shkatërrua gjithashtu edhe një helikopter Ka-27.
Ngjarja është veçanërisht domethënëse për shkak të largësisë së objektivit nga Odesa, duke treguar se përdorimi i dronëve detarë nuk kufizohet më vetëm në zonat tradicionale të luftës. Sipas një studimi të Institutit të Kombeve të Bashkuara për Kërkimin e Çarmatimit (UNIDIR), gjatë periudhës 2019-2024 janë identifikuar 60 programe për zhvillimin e sistemeve ushtarake detare pa pilot në 17 vende.
Numri i sulmeve të regjistruara me këto mjete është rritur nga një në vitin 2019 në 22 gjatë vitit 2024. Gjatë vitit 2026, sulmet janë shtrirë në disa zona strategjike detare. Në Mesdhe, tri anije ruse janë goditur brenda një periudhe 12-mujore: cisterna “Qendil”, në dhjetor, anija transportuese e gazit të lëngshëm “Arctic Metagaz”, në mars, dhe anija transportuese “Lady Mariia”, në shtator.
Ndërkohë, pak ditë përpara sulmit në Bengazi, një korvetë ruse u godit edhe në Gjirin e Finlandës, duke zgjeruar më tej hapësirën gjeografike të këtyre operacioneve.
Një tjetër zonë shqetësuese është Deti i Zi, ku sulmet ndaj anijeve tregtare dhe cisternave janë intensifikuar. Sipas të dhënave të cituara nga media ukrainase NV, gjatë vitit 2026 janë sulmuar 570 anije në Detin e Zi, ndërsa të paktën 40 detarë kanë humbur jetën. Sulmet janë regjistruar edhe pranë brigjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë, përfshirë zona ekonomike detare të dy vendeve anëtare të NATO-s.
Situata ka shkaktuar shqetësime të mëdha në industrinë e transportit detar. Sipas Lloyd’s List, sigurimi për rrezikun e luftës në disa udhëtime të lidhura me Ukrainën ka arritur deri në 20% të vlerës së anijes. Kjo do të thotë se një anije me vlerë 50 milionë dollarë mund të përballet me një kosto sigurimi prej rreth 10 milionë dollarësh për një udhëtim të vetëm.
Si mund të ndikojë kjo teknologji në ekonominë globale? Përhapja e dronëve detarë krijon disa rreziqe të drejtpërdrejta për ekonominë ndërkombëtare. Rritja e kostove të sigurimit mund t’i detyrojë kompanitë e transportit të ndryshojnë itineraret ose të shmangin zona të caktuara detare. Kjo do të sillte rritje të kostove të transportit dhe, rrjedhimisht, të çmimeve të mallrave.
Një tjetër shqetësim lidhet me furnizimin me energji. Sulmet ndaj cisternave të naftës dhe anijeve që transportojnë gaz të lëngshëm mund të shkaktojnë vonesa dhe ndërprerje në zinxhirët e furnizimit. Gjithashtu, goditjet pranë ujërave territoriale të vendeve të treta rrisin rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve dhe të përfshirjes së shteteve të tjera në përplasjet ushtarake.
Sulmi në Bengazi ka rikthyer vëmendjen te situata e brishtë e sigurisë në Libi. Misioni i Kombeve të Bashkuara në këtë vend ka kërkuar hetim të pavarur për ngjarjet dhe ka paralajmëruar kundër përfshirjes së Libisë në konfliktet e huaja. Shqetësimi lidhet me mundësinë që vendet me institucione të dobëta dhe kontroll të kufizuar mbi territorin e tyre të shndërrohen në hapësira për operacione ushtarake të fuqive të huaja.
Përhapja e teknologjisë së dronëve detarë po ndryshon kështu konceptin tradicional të sigurisë në det. Një mjet relativisht i vogël dhe pa ekuipazh mund të shkaktojë dëme të mëdha në anije ushtarake, por edhe të kërcënojë transportin tregtar dhe furnizimin energjetik. Për ekonominë botërore, sfida nuk është më vetëm siguria e anijeve në zonat e luftës, por edhe garantimi i lëvizjes së lirë të mallrave në korridoret detare ndërkombëtare.
Top Channel