Presidenti amerikan Donald Trump deklaron se SHBA-të kanë siguruar fondet e nevojshme për të vijuar luftën kundër Iranit deri në fund të janarit 2027. Në një intervistë për “New York Post”, ai paralajmëroi demokratët se ndërhyrja e tyre për të ndalur operacionet ushtarake mund ta kthejë atë që e cilëson si një fitore amerikane në humbje. Trump tha gjithashtu se Uashingtoni mund t'i japë fund konfliktit në çdo moment, ndërsa përjashtoi ndryshimin e regjimit në Teheran si objektiv kryesor të luftës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata amerikane ka financimin e nevojshëm për të vazhduar luftën kundër Iranit deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, duke theksuar se konflikti mund të përfundojë në çdo moment që ai e konsideron të përshtatshëm.
Gjatë intervistës, Trump u ndal veçanërisht te mundësia që demokratët të ndërmarrin hapa për të kufizuar ose ndalur operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, nëse marrin kontrollin e Kongresit në janar.
Presidenti amerikan paralajmëroi se një vendim i tillë, sipas tij, do të dëmtonte pozicionin e SHBA-së dhe do të kthente një fitore ushtarake në humbje.
“Ata do të marrin një fitore të plotë dhe do ta shndërrojnë në humbje”, deklaroi Trump.
Ai pretendoi se kapacitetet ushtarake të Iranit janë shkatërruar rëndë, duke përmendur flotën detare, aviacionin, sistemet kundërajrore dhe eliminimin e drejtuesve të vendit.
I pyetur nëse mundësitë e tij për të vijuar operacionet ushtarake mund të kufizohen pas marrjes së kontrollit të Kongresit nga demokratët, Trump tha se financimi aktual është i garantuar deri në fund të janarit.
"Deri në fund të janarit, pak a shumë, e dini, ne jemi të financuar", i tha ai gazetës.
Trump këmbënguli se Shtetet e Bashkuara kanë mundësi ta përfundojnë konfliktin sa herë të dëshirojnë.
“Ne mund ta ndërpresim atë luftë kurdo që të duam”, u shpreh presidenti amerikan.








Komente
Komento