E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Rasti tronditës i 13-vjeçares! Vodhi bizhuteri në shtëpi dhe u largua nga Shkodra drejt Tiranës, dyshohet se është abuzuar nga 7 persona

Një 13-vjeçare shqiptaro-amerikane, e cila u largua nga banesa e saj në Shkodër dhe u gjet disa ditë më vonë në Tiranë, është në qendër të një hetimi për abuzim seksual. Hetimet kanë zbardhur detaje të reja mbi zhdukjen e saj, lëvizjet pas largimit nga banesa dhe personat që dyshohet se janë përfshirë në ngjarje.

Gazetari Bepin Kolvata, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, ka dhënë detaje mbi dinamikën e ngjarjes, duke bërë me dije se vajza ishte larguar nga banesa me vendimin e saj, pasi familja ishte rikthyer nga Amerika dhe ishte vendosur në qytetin e Shkodrës.

Sipas Kolvatës, e mitura nuk ishte paraqitur në shkollë dhe ishte larguar në drejtim të stacionit të autobusëve, për të udhëtuar drejt Tiranës. Ka qenë nëna e saj, e cila pasi konstatoi mungesën e vajzës, iu drejtua policisë së Shkodrës për të denoncuar rastin.

Pas disa ditësh kërkimesh, 13-vjeçarja u gjet në kryeqytet, në një gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale. Gazetari bëri me dije se fillimisht ajo kishte qëndruar në Tiranë, por më pas kishte lëvizur edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Vlorën, Gjirokastrën, Fierin dhe Burrelin.

Reklamë

Sipas informacioneve të bëra publike në raportimin e gazetarit, nuk rezulton që vajza të ketë pasur komunikim me persona të tjerë përpara largimit nga Shkodra. Ndërkohë, dyshohet se para se të largohej nga banesa, ajo kishte marrë edhe disa bizhuteri nga shtëpia, me qëllim përfitimin e parave për të financuar lëvizjet e saj.

Një tjetër detaj i rëndë lidhet me dyshimet për abuzim seksual. Sipas dëshmisë së parë të të miturës, ajo dyshohet se është abuzuar seksualisht në Tiranë dhe në qytete të tjera ku ka qëndruar gjatë ditëve të largimit.

Kolvata bëri me dije se, përveç dy personave të arrestuar, hetuesit dyshojnë se në këtë ngjarje mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë. Numri i personave që dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën mund të shkojë në 5 deri në 7 persona, por ky informacion mbetet në kuadrin e dyshimeve dhe kërkon verifikim nga organet hetimore.

Gazetari u ndal edhe te situata familjare e 13-vjeçares. Sipas tij, babai i vajzës ndodhet në burg, ndërsa ajo jetonte vetëm me nënën. Deri më tani nuk dihet nëse përpara largimit ka pasur ndonjë konflikt familjar që mund të ketë ndikuar në vendimin e saj.

Sipas gazetarit, vajza ka deklaruar në dëshminë e saj të parë se kishte shkuar me dëshirë dhe se veprimet i kishte kryer me vullnetin e saj. Megjithatë, gazetari theksoi se këto deklarime janë dhënë në një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike.

Aktualisht, 13-vjeçarja ndodhet në Tiranë, në një qendër të specializuar për trajtimin dhe mbrojtjen e rasteve të tilla.

Ndërkohë, për këtë ngjarje janë arrestuar dy persona, 46-vjeçari Adrian Qerimi dhe 49-vjeçari Elton Vrenozi, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ata dyshohen për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa pritet të verifikohet nëse në këtë ngjarje janë përfshirë edhe persona të tjerë.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.