Rënia e temperaturave ka rikthyer shqetësimet për cilësinë e ajrit në kryeqytetin e Kosovës.
Sipas të dhënave të platformës ndërkombëtare IQAir, Prishtina mbrëmë është renditur në vendin e 29-të në listën e qyteteve të monitoruara për ndotjen e ajrit në botë.
Indeksi i cilësisë së ajrit (AQI), sipas të dhënave të raportuara, ka arritur në 79 njësi, nivel që klasifikohet si mesatar dhe mund të paraqesë rrezik për personat veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndotjes.
Me uljen e temperaturave, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje, trafiku rrugor dhe kushtet atmosferike mund të ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit.
Sipas renditjes së raportuar mbrëmë, listës së qyteteve me ajrin më të ndotur i printe Lahore i Pakistanit, ndërsa Tokio i Japonisë renditej në mesin e qyteteve me ajrin më të pastër.
Renditja e qyteteve dhe niveli i ndotjes ndryshojnë vazhdimisht, varësisht nga kushtet atmosferike dhe përqendrimi i ndotësve në ajër.
Në një matje tjetër të publikuar nga IQAir, Prishtina është renditur në vendin e 22-të në botë, me indeks të cilësisë së ajrit prej 94 njësish.

