Një ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali do të reagojë sot në orën 11:00, në një konferencë për shtyp. Votimi i deputetëve socialistë erdhi 10 ditë pasi Asambleja e PS-së e përjashtoi atë nga të gjitha forumet e partisë.
Deputetët socialistë votuan të martën në një mbledhje me dyer të mbyllura, ku munguan si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe vetë Spiropali. Sipas burimeve të Report Tv, të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro largimit të saj nga grupi, ndërsa Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan.
Për vendimin ende nuk ka një njoftim zyrtar. Sipas burimeve të Report Tv, gjatë mbledhjes nuk u paraqitën arsye për përjashtimin. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, paraqiti vendimin e marrë në Asamble, duke argumentuar se ai duhej konfirmuar edhe nga grupi parlamentar. Kreu i grupit, Taulant Balla, e hodhi çështjen në votim.
Me largimin e Spiropalit, grupi parlamentar i PS-së mbetet me 81 deputetë. Për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 votash, që nevojitet për miratimin e ligjeve që kërkojnë tri të pestat, socialistët varen tashmë nga votat e të tre deputetëve të partisë së Tom Doshit.












Komente
Komento