Londra, Parisi dhe Edinburgu janë tre qytetet europiane që kanë tërhequr interesin më të madh të udhëtarëve për pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2026, sipas një studimi të ri të kompanisë turistike TUI Musement.
Studimi ka analizuar kërkimet në Google për qytetet kryesore europiane gjatë periudhës nëntor 2025 – tetor 2026, duke identifikuar destinacionet më të kërkuara për atmosferën festive, tregjet e Krishtlindjeve dhe festimet e ndërrimit të viteve.
Në vendin e parë renditet Londra, me 272.320 kërkime, duke lënë pas Parisin me 252.800 dhe Edinburgun me 173.840 kërkime.
Kryeqyteti britanik tërheq vizitorët me ndriçimin festiv të rrugëve Oxford Street dhe Regent Street, vitrinat e zbukuruara, parkun Winter Wonderland dhe aktivitetet përgjatë lumit Tamiz.
Parisi renditet i dyti, me një interes të lartë për tregjet e Krishtlindjeve dhe dekorimet festive. Një nga atraksionet kryesore këtë vit është rikthimi i tregut të Krishtlindjeve në Champs-Élysées, pas një ndërprerjeje dhjetëvjeçare, me rreth 200 ekspozues.
Edinburgu, në vendin e tretë, dallohet për tregun tradicional të Krishtlindjeve në qendrën historike dhe festimet e famshme të Vitit të Ri, të njohura si Hogmanay, që përfshijnë koncerte, festa në rrugë dhe fishekzjarrë.
Vjena dhe Strasburgu mbeten ndër destinacionet më tërheqëse për atmosferën tradicionale të Krishtlindjeve.
Kryeqyteti austriak renditet i katërti, me 158.270 kërkime. Tregjet e Krishtlindjeve në Rathausplatz, koncertet e muzikës klasike dhe dekorimet e qytetit e bëjnë Vjenën një nga destinacionet më të njohura për pushimet festive.
Në vendin e pestë është Strasburgu, me 140.560 kërkime. Qyteti francez është i famshëm për një nga tregjet më të vjetra të Krishtlindjeve në Europë, me histori që nis në vitin 1570, si dhe për pemën gjigante festive në sheshin Kléber.
Amsterdami renditet i gjashti, duke tërhequr vizitorët me Festivalin e Dritave, instalacionet artistike përgjatë kanaleve dhe tregjet tradicionale.
Roma, Praga, Budapesti dhe Dublini plotësojnë dhjetëshen e qyteteve më të kërkuara.
Sipas TUI Musement, renditja e plotë është kjo:
- Londër, Britani e Madhe – 272.320 kërkime
- Paris, Francë – 252.800 kërkime
- Edinburg, Skoci – 173.840 kërkime
- Vjenë, Austri – 158.270 kërkime
- Strasburg, Francë – 140.560 kërkime
- Amsterdam, Holandë – 139.630 kërkime
- Romë, Itali – 126.750 kërkime
- Pragë, Çeki – 113.050 kërkime
- Budapest, Hungari – 110.510 kërkime
- Dublin, Irlandë – 105.620 kërkime
Renditja është bazuar në numrin e kërkimeve në Google për shprehjet që lidhen me Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në secilin qytet, jo në rezervimet e realizuara apo numrin real të turistëve.
Analiza, e raportuar nga Euronews, tregon se kryeqytetet europiane dhe qytetet me tradita të konsoliduara të tregjeve festive vazhdojnë të tërheqin interes të lartë për udhëtimet e fundvitit. /skyweb.al

