Kukësi është përfshirë mëngjesin e kësaj të mërkure nga mjegulla e dendur dhe i ftohti, çka ka sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në orët e para të ditës. Në qytetin e Kukësit termometri ka shënuar -2 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore mbi 800 metra lartësi temperaturat kanë zbritur deri në -6 gradë, duke krijuar ngrica në akset rrugore. Mjegulla ka mbuluar jo vetëm qytetin, por edhe një pjesë të Rrugës së Kombit, në segmentin Pobreg–Kolsh, ku dukshmëria është e kufizuar. Autoritetet këshillojnë përdorimin e dritave të mjegullës, uljen e shpejtësisë dhe ruajtjen e distancës së sigurisë për të shmangur aksidentet. Gjatë vjeshtës dhe dimrit, Kukësi përballet shpesh me temperatura të ulëta dhe mjegull të dendur në lugina e zona të ulëta, kryesisht në orët e para të mëngjesit.