Kapet me 21 kuti fishekzjarrësh të kontrabanduara, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë, procedohet bashkëpunëtori
Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se transportonte dhe tregtonte fishekzjarrë të kontrabanduar. Në kuadër të operacionit të koduar “Fireworks 4”, policia ka proceduar penalisht edhe një 21-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i tij.
Sipas policisë, dy të rinjtë u ndaluan në rrugën “7 Nëntori”, teksa transportonin me dy automjete kuti me lëndë piroteknike, të dyshuara si të kontrabanduara. Fishekzjarrët nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës të blerjes, ndërsa asnjëri prej tyre nuk ishte i licencuar për tregtimin e tyre.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, efektivët gjetën kuti të tjera me lëndë piroteknike edhe në banesën e 25-vjeçarit.
Në total, policia sekuestroi 21 kuti me fishekzjarrë, automjetin dhe telefonin celular të të arrestuarit.




