Skandali i Nvidia-s, kompanitë e lidhura me Alice Huang financuan serverë AI në Kinë

Kompanitë e lidhura me Alice Huang, biznesmenen kineze, marrëdhënia jashtëmartesore e së cilës me drejtuesin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, shkaktoi largimin e tij të përkohshëm nga detyra, kanë siguruar financime duke përdorur si garanci pajisje të avancuara kompjuterike për qendrat e inteligjencës artificiale në Kinë, sipas një investigimi të Reuters.
Dokumentet e bankës qendrore kineze evidentojnë deri në 764 serverë dhe module të inteligjencës artificiale, me vlerë 270 milionë dollarë, si dhe pajisje shtesë me vlerë 31 milionë dollarë për ndërlidhjen e tyre në rrjete kompjuterike.
Një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve ndodhej në një kompleks të madh të përpunimit të të dhënave në Shangai.
Zbulimet hedhin dritë mbi rolin e kompanive të lidhura me familjarët dhe bashkëpunëtorët e Alice Huang në zhvillimin e infrastrukturës kineze të inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, autoritetet amerikane po hetojnë nëse Megaspeed, kompania me seli në Singapor që më parë kontrollohej nga Huang, ka ndihmuar klientët kinezë të sigurojnë teknologji të Nvidia-s që u nënshtrohet kufizimeve amerikane të eksportit.
Më 23 nëntor, Departamenti amerikan i Tregtisë e përfshiu Megaspeed në listën e zezë tregtare. Kompania ka mohuar shkeljet dhe ka deklaruar se Alice Huang u largua prej saj në gusht 2025.
Financimi i qindra serverëve
Në qendër të marrëveshjeve financiare qëndron Century Litong, një partner i Nvidia-s në shërbimet cloud.
Gjatë periudhës maj-dhjetor 2024, kompania realizoi pesë marrëveshje financimi që përfshinin deri në 512 serverë, me vlerë të deklaruar prej 200 milionë dollarësh.
Një prej transaksioneve përfshinte 128 serverë me vlerë 57 milionë dollarë, financuar nga një degë e AVIC, konglomerat kinez i aviacionit dhe mbrojtjes, i mbështetur nga shteti.
Këto skema financimi u mundësojnë kompanive të sigurojnë pajisje të kushtueshme teknologjike pa paguar menjëherë të gjithë çmimin e blerjes.
Lidhjet familjare dhe të biznesit
Dokumentet e kompanive zbulojnë lidhje ndërmjet disa prej bizneseve të përfshira në financime dhe motrës së Alice Huang, Huang Yu, si dhe bashkëshortit të saj, Kang Wei.
Në prill 2026, një kompani e kontrolluar deri në fillim të vitit nga motra e Huang përdori 252 module të inteligjencës artificiale si kolateral për një kredi prej 70 milionë dollarësh nga Ping An Bank.
Megjithatë, dokumentet nuk provojnë se serverët përmbanin çipa të ndaluar për eksport drejt Kinës dhe as mënyrën se si pajisjet kanë hyrë në vend.
Vlera prej 270 milionë dollarësh përfaqëson asetet e përfshira në marrëveshjet e financimit dhe jo domosdoshmërisht investime të reja.
Zbulimet shtojnë pikëpyetjet mbi marrëdhëniet tregtare të Nvidia-s me Kinën, vetëm pak ditë pas rikthimit të Jensen Huang në krye të kompanisë, 11 ditë pas dorëheqjes së tij./REUTERS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









