Studimi i BB: SEPA solli ulje drastike të kostos së transfertave në Ballkanin Perëndimor

Përfshirja në Zonën Unike Europiane të Pagesave (SEPA) ka sjellë ulje drastike të kostos së transfertave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Studimi i kryer nga një grup ekspertësh të Bankës Botërore ka matur për herë të parë efektet krahasuese të ndryshimit të kostos së transfertave pas hyrjes në SEPA të tre vendeve të para të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Studimi tregoi se, për transfertat prej 5 mijë eurosh nga vendet anëtare të SEPA-s të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, kostoja mesatare e transaksionit ra nga rreth 0.76% në vitin 2024 në 0.08% në vitin 2025, me një ulje prej afërsisht 90%.
Për transfertat prej 20 mijë eurosh, kostoja mesatare e transaksionit ra nga 0.47% në vitin 2024 në 0.02% në vitin 2025, pas hyrjes në SEPA.
Një tendencë të ngjashme po shfaqin edhe transfertat në drejtimin e kundërt, nga vendet e Bashkimit Europian drejt vendeve të rajonit që kanë hyrë në SEPA.
Për transfertat prej 5 mijë euro drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor që operojnë me SEPA, kostoja mesatare e transaksionit ra nga 0.67% në vitin 2024 në 0.07% në vitin 2025. Për transfertat prej 20 mijë euro, u regjistrua një ulje të kostos nga 0.31% në vitin 2024 në 0.03% në vitin 2025.
Megjithatë, studimi tregon se, pavarësisht përfshirjes në SEPA, kostot e transferimit brenda SEPA-s në Ballkanin Perëndimor mbeten mbi nivelet brenda BE-së, duke reflektuar disa faktorë kalimtarë dhe strukturorë.
Së pari, inercia e çmimeve dhe strukturat e tarifave të trashëguara ende mbeten, ndërsa bankat po kalojnë nga modelet tradicionale të bazuara te puna me bankat korrespondente në çmimet e bazuara në SEPA. Në modelin e mëparshëm, pagesat ndërkufitare kalonin përmes një ose më shumë bankave ndërmjetëse, duke shtuar potencialisht kohë dhe tarifa të shtresuara, për shembull tarifat e transferimit bazë, tarifat e ndërmjetësve, tarifat e bankës përfituese, marzhet e këmbimit valutor, etj. Këto tarifa të trashëguara, shpesh jo shumë transparente, kanë tendencë të vazhdojnë edhe pasi shinat e pagesave kalojnë në SEPA, derisa sistemet, kontratat dhe politikat e çmimeve të rishikohen plotësisht, prandaj nivelet e çmimeve lëvizin më ngadalë.
Gjithashtu, thellësia e tregut dhe intensiteti konkurrues mbeten më të ulëta. Ndërsa kanalet e pagesave brenda BE-së përfitojnë nga vëllime më të larta, më shumë ofrues dhe dekada konkurrence çmimesh, tregjet e Ballkanit Perëndimor janë më të vogla, më të përqendruara dhe ende po ndërtojnë një ekonomi shkalle të transaksioneve.
Së treti, kostot operative dhe të pajtueshmërisë mbeten proporcionalisht më të larta, për shkak të sistemeve paralele, rikonceptimit të shpejtë të proceseve të lidhur me pagesat dhe barrës relativisht të lartë të lidhur me raportimin dhe përputhshmërinë.
Së fundmi, transfertat brenda BE-së përfitojnë nga konvergjenca rregullatore përtej SEPA-s, duke përfshirë rregullat e transparencës së tarifave dhe konvergjencën e çmimeve midis transfertave të menjëhershme dhe të rregullta të kreditit, korniza që ende nuk janë integruar plotësisht në juridiksionet e Ballkanit Perëndimor.
Më 7 tetor 2025, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nisën operacionet në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA). Ndërsa nisja e veprimeve në këto tre shtete ndodhi njëkohësisht, qasjet e zbatimit patën disa ndryshime. Shqipëria dhe Mali i Zi aplikuan kufizime të tarifave, të vendosura nga banka qendrore, ndërsa Maqedonia e Veriut jo.
Studimi i Bankës Botërore nuk përfshin Serbinë, që u bë anëtare e SEPA-s vetëm në maj 2026. Ndërkohë, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë të vetmet vende të rajonit që nuk janë anëtarësuar ende në SEPA. Bosnja aplikoi zyrtarisht në muajin gusht të këtij viti, ndërsa Kosova në muajin nëntor.
Shqipëria me tarifa të rregulluara për transfertat SEPA
Rregullorja e Bankës së Shqipërisë “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.
Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.
Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro.
Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 100 mijë euro, të kryer me e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar. E thënë ndryshe, për shumën maksimale të këtij tavani, 100 mijë euro, komisioni për pagesat elektronike do të jetë maksimalisht 10 euro.
Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 100 mijë euro, e kryer në degë (në formë letër) nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.
Komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë (për transfertat mbi 100 mijë euro), pavarësisht shumës së transfertës, do të jenë të njëjta si në rregulloren e mëparshme, përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.
Ndërkohë, për transfertat hyrëse (nga jashtë drejt Shqipërisë) bankat mund të aplikojnë një komision maksimal deri në 3 euro, për të mbuluar kostot e ofrimit të shërbimit. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









