Me 21 kuti fishekzjarrësh kontrabandë në Tiranë, arrestohet 25-vjeçari
Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të dyshuar të kontrabandimit dhe tregtimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike. Në kuadër të fazës së katërt të operacionit të koduar “Fireworks”, një 25-vjeçar është arrestuar, ndërsa një 21-vjeçar është vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, dy të rinjtë u konstatuan në rrugën “7 Nëntori” në Tiranë, teksa lëviznin me dy automjete ku transportonin sasi fishekzjarrësh që dyshohet se ishin futur kontrabandë në vend.
Në pranga përfundoi 25-vjeçari me inicialet R. B., ndërsa 21-vjeçari F. A. do të hetohet në gjendje të lirë. Nga hetimet paraprake dyshohet se lënda piroteknike transportohej për llogari të të arrestuarit, me synimin për t’u hedhur më pas në treg për shitje.
Gjatë kontrollit të automjeteve, efektivët e policisë konstatuan se fishekzjarrët nuk dispononin dokumentacion që vërtetonte blerjen e tyre në rrugë të ligjshme. Gjithashtu, asnjëri prej dy të rinjve nuk rezultonte i pajisur me licencën përkatëse për ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të produkteve piroteknike.
Kontrollet u zgjeruan edhe në banesën e 25-vjeçarit, ku u zbuluan dhe u sekuestruan kuti të tjera me fishekzjarrë. Në përfundim të veprimeve policore, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 21 kuti me lëndë piroteknike, dy automjetet e përdorura për transportin e tyre dhe telefoni celular i të arrestuarit.
Operacioni “Fireworks” vijon të jetë në fokus të strukturave policore, ndërsa kontrollet dhe hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në kontrabandimin dhe tregtimin e paligjshëm të lëndëve piroteknike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



