Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar forcimin e përpjekjeve institucionale dhe shoqërore për parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, në kuadër të nisjes zyrtare të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Gërvalla ka deklaruar se dhuna nuk shfaqet vetëm përmes sulmeve fizike, por edhe përmes kërcënimeve, kontrollit, poshtërimit dhe frikësimit. Sipas saj, nga viti 2019 deri në tetor të vitit 2026, në Kosovë janë evidentuar 19 mijë e 916 raste të dhunës në familje, ndërsa 33 gra janë vrarë gjatë kësaj periudhe.
Të lidhura
None found
Ajo ka theksuar se dhuna prek njerëz të moshave dhe gjinive të ndryshme, përfshirë gratë, burrat, të moshuarit dhe fëmijët. Sipas ministres, bëhet fjalë për një cenim të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut, i cili nuk njeh kufij shoqërorë apo dallime kulturore.
Gërvalla u ka bërë thirrje qytetarëve të mos heshtin, të mos e justifikojnë dhe të mos e pranojnë dhunën. Ajo ka nënvizuar se denoncimi i rasteve përbën një përgjegjësi qytetare dhe një shprehje solidariteti ndaj personave që kanë nevojë për mbrojtje.
Ministrja ka kërkuar që çdo rast të raportohet, të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet nga institucionet, duke marrë një përgjigje të shpejtë dhe të përshtatshme.
“Raporto dhunën! Raporto dhunuesin!”, ka qenë apeli i saj.
Gërvalla ka theksuar gjithashtu se lufta kundër dhunës nuk mund të kufizohet vetëm në 16 ditët e fushatës. Sipas saj, këto ditë shërbejnë për ndërgjegjësim, ndërsa angazhimi për eliminimin e dhunës duhet të vazhdojë çdo ditë të vitit.







