Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Haxhiu ka thënë se rrënjët e dhunës ndaj grave qëndrojnë te pabarazia dhe normat shoqërore që krijojnë bindjen se burrat kanë të drejtë të kontrollojnë jetën e grave.

Ajo ka theksuar se kontrolli mbi vendimet e grave, përfshirë shkollimin, punësimin, shoqërimin dhe shpenzimin e parave, përbën dhunë psikologjike dhe ekonomike, e cila shpesh i paraprin dhunës fizike dhe vrasjeve.

Haxhiu ka thënë se përgjegjësia për dhunën i takon personit që e ushtron, ndërsa parandalimi i saj është përgjegjësi e institucioneve, familjeve dhe shoqërisë.

"Rrënjët e saj janë te pabarazia dhe te normat që u kanë rrënjosur bindjen se burrat kanë të drejtë të vendosin për jetën e një gruaje, kush shkon, me kë takohet, nëse shkollohet, punon dhe si i shpenzon paratë. Ky kontroll nuk është paralajmërim i dhunës, ai vetë është dhunë, është dhunë psikologjike dhe ekonomike dhe shpesh i paraprin dhunës fizike, madje dhe vrasjes", ka thënë Haxhiu.