Goditet me makinë doganieri i Kosovës, arratiset autori
Një zyrtar i Doganës së Kosovës është sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës në pikëkalimin kufitar të Merdarit. Ngjarja ka ndodhur pasi një person, i cili po udhëtonte me automjet, ka goditur doganierin dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, incidenti është regjistruar të martën, në momentin kur punonjësit e Doganës kishin ndaluar një automjet për kontroll. Mjeti dyshohej se mund të transportonte mallra kontrabandë dhe zyrtarët po kryenin procedurat përkatëse të verifikimit.
Gjatë kontrollit, drejtuesi i automjetit dyshohet se ka përplasur qëllimisht me makinë njërin prej doganierëve, duke e dëmtuar në dorë. Pas incidentit, ai është larguar në drejtim të paditur, pa pritur mbërritjen e autoriteteve.
Rasti është denoncuar pranë Policisë së Kosovës dhe është regjistruar si sulm ndaj personit zyrtar. Ndërkohë, strukturat policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e drejtuesit të automjetit dhe lokalizimin e tij.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi identitetin e autorit të dyshuar apo gjendjen shëndetësore të doganierit të lënduar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



