Fshiheshin në pyll dhe grabisnin banesat brenda 10 minutash, arrestohen tre shqiptarë në Spanjë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.11.2026, 10:38

Tre shtetas shqiptarë, të identifikuar si Renato D., Ermal N. dhe Florian P., janë arrestuar në Spanjë, nën dyshimin për përfshirje në një seri grabitjesh të banesave në disa zona të vendit.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, të dyshuarit dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal të organizuar, i cili kishte ndërtuar një mënyrë të mirëpërcaktuar veprimi. Grabitjet kryheshin me shpejtësi të madhe, duke mos zgjatur më shumë se dhjetë minuta, ndërsa përdorimi i pajisjeve të teknologjisë së avancuar u mundësonte të identifikonin dhe të përzgjidhnin sendet me vlerë më të lartë.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan targa të modifikuara automjetesh, mjete të posaçme për hapjen me forcë të hyrjeve të banesave, përfshirë gërshërë hidraulike, si dhe pajisje të specializuara për testimin e metaleve dhe gurëve të çmuar.

Mes pajisjeve të gjetura ishin edhe reagentë kimikë, të cilët shërbenin për të verifikuar në vend nëse ari dhe diamantet e përvetësuara ishin origjinale. Kjo u lejonte të dyshuarve të dallonin brenda pak sekondash sendet me vlerë nga ato të falsifikuara.

Një tjetër element karakteristik i aktivitetit të grupit ishte shmangia e çdo përballjeje me banorët. Sipas hetuesve, të dyshuarit ndiqnin një rregull të prerë: nuk hynin në banesa nëse brenda ndodheshin persona dhe largoheshin menjëherë në rast se konstatonin praninë e dikujt.

Gjatë prezantimit të detajeve të operacionit, kapiteni i Njësisë Organike të Policisë Gjyqësore, Juan José López, sqaroi mënyrën se si vepronte grupi.

“Nëse në banesë ndodhen persona, ata nuk hyjnë kurrë brenda. Nëse, për shkak të ndonjë gabimi, futen në banesë dhe konstatojnë praninë e një personi, largohen menjëherë”, deklaroi ai.

Dyshohet për 17 grabitje në tri provinca

Sipas autoriteteve spanjolle, grupit i janë atribuar deri më tani 17 grabitje të këtij lloji në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña, gjatë javëve të fundit.

Hetimet u iniciuan nga Garda Civile e Ourense më 30 tetor. Që prej asaj date, agjentët dokumentuan gjashtë raste në territorin e kësaj province.

Vjedhjet e para u regjistruan më 30 tetor në A Merca dhe Allariz. Më 1 nëntor, të dyshuarit dyshohet se goditën në Vilanova dos Infantes, në zonën e Celanova-s, si dhe në Barbadás. Ndërsa më 4 nëntor, raste të tjera u konstatuan në Coles dhe Vilamarín.

Kapiteni López e cilësoi hetimin si një proces të zhvilluar me ritme të shpejta, duke theksuar se puna e agjentëve për analizimin e provave dhe informacioneve të mbledhura vijon.

“Ne kemi shumë informacione për të analizuar, por pa asnjë dyshim besojmë se ekzistojnë edhe vepra të tjera penale që mund t'u atribuohen atyre”, u shpreh ai.

Pas serisë së grabitjeve në Galicia, të dyshuarit u larguan nga rajoni më 7 nëntor, por u rikthyen katër ditë më vonë.

Tentuan t'i shpëtonin policisë, por përfunduan në një greminë

Arrestimi i tyre u bë më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedra-s, pas disa përpjekjeve të mëparshme të agjentëve për t'i lokalizuar dhe ndaluar.

Sipas të dhënave të hetimit, gjatë kësaj periudhe të dyshuarit qëndronin të fshehur në një zonë pyjore, ku kalonin netët në një tendë kampingu.

Operacioni për arrestimin e tyre u zhvillua pasi Garda Civile ngriti një pikë kontrolli në zonën e Vila de Cruces. Me të vënë re praninë e efektivëve, personat që ndodheshin në automjet tentuan të largoheshin me shpejtësi.

Gjatë arratisjes, makina u përplas me dy automjete zyrtare të Gardës Civile, duke shkaktuar dëme materiale. Situata u përshkallëzua pak më vonë, kur drejtuesi humbi kontrollin e mjetit dhe makina doli nga rruga, duke përfunduar në një greminë disa metra të thellë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit