Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë shënuar hapa të rinj, me fokus te një lokal i njohur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dhe te disa transaksione financiare e procedurë tenderimi që dyshohet se lidhen me deputeten socialiste Elisa Spiropali dhe rrethin e saj familjar.
Sipas informacioneve, çështja ka marrë shtysë pas një kallëzimi anonim të dorëzuar mes fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit. Mbi bazën e këtij kallëzimi, SPAK ka hapur procedim penal duke ngritur dyshime për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim ose fshehje pasurie, si dhe pabarazi në tendera publikë.
Përveç deputetes Spiropali, në kallëzim figurojnë edhe bashkëshorti i saj Salarjon Totaj, vëllai i saj, si dhe dy kunatat.
Një pjesë e verifikimeve të prokurorisë përqendrohet te veprimet dhe lidhjet financiare të Spiropalit me shoqërinë “Sal shpk”, në pronësi të bashkëshortit të saj, Salarjon Totaj. Kjo kompani administron restorantin “Salt” në ish-Bllok. Hetuesit po analizojnë lëvizje të caktuara financiare dhe mënyrën e ndarjes së dividendeve në shuma të konsiderueshme.
Në vëmendje të organit të akuzës ka hyrë edhe subjekti “Solomon Construction”, i krijuar nga vëllai i Spiropalit. Sipas verifikimeve paraprake të SPAK, kjo shoqëri ka marrë tendera pranë Ujësjellës-Kanalizimeve në Fier pikërisht në kohën kur institucioni drejtohej nga Salarjon Totaj.