BE, fond prej 50 miliardë eurosh për të konkurruar SHBA-në dhe Kinën në teknologji
Bashkimi Europian po përgatit krijimin e një fondi me vlerë deri në 50 miliardë euro për të financuar kompanitë europiane të teknologjisë, në përpjekje për të ngushtuar hendekun me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën në sektorët strategjikë të ekonomisë. Fondi i ri do të përqendrohet në investime afatgjata dhe me rrezik të lartë në kompanitë që zhvillojnë inteligjencën artificiale dhe teknologjinë kuantike, raportoi Financial Times, duke iu referuar dy zyrtarëve të përfshirë në diskutime.
Komisioni Europian synon të përdorë burimet financiare të BE-së si kapital fillestar për të tërhequr investime nga sektori privat. Objektivi është që për çdo euro të angazhuar të mobilizohen deri në gjashtë euro investime. Vështirësitë e kompanive europiane për të siguruar financime dhe për të zgjeruar aktivitetin janë identifikuar si ndër arsyet kryesore të vonesës teknologjike të Europës kundrejt SHBA-së dhe Kinës. Çështja ishte gjithashtu një nga temat kryesore të raportit të ish-presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë europiane.
Komisioni Europian propozoi të mërkurën edhe masa për favorizimin e kompanive europiane në procedurat e prokurimit publik, si pjesë e strategjisë që synon ta shndërrojë Europën në një lider botëror të teknologjisë kuantike deri në vitin 2030. Nisma e re vjen ndërsa institucionet europiane po zgjerojnë programet ekzistuese të financimit të kompanive inovative.
Në fillim të nëntorit, Këshilli Europian i Inovacionit miratoi programin e punës për vitin 2027, me financime prej 1.8 miliardë eurosh për sipërmarrësit dhe studiuesit që zhvillojnë teknologji të avancuara. Programi përfshin edhe investime prej 290 milionë eurosh në kompani që operojnë në sektorë strategjikë dhe që synojnë të sigurojnë financime private prej të paktën 50 milionë eurosh. Vlera prej 50 miliardë eurosh e fondit të ri përfaqëson objektivin e mobilizimit të kapitalit dhe jo një shumë të miratuar tashmë nga buxheti i Bashkimit Europian
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









