Dy herë kampionët e Evropës radhazi, Paris SG, luajnë sonte supersfidën e mbrëmjes në Champions League kundër Romës. Francezët janë me pikë të plota pas 4 ndeshjesh dhe skuadra e vetme që mund ta barazojë Realin me 15 pikë, ndërsa konsiderohen gjithashtu si favoritë të theksuar për ta fituar këtë përballje edhe pse kanë mungesa të rëndësishme si Kvaratschkhelia dhe Doue.
Roma nga ana tjetër ka nevojë për pikë, pasi deri më tani ka vetëm 1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. E fundit shumë e hidhur kundër Manchester United, ndërsa në prag të kësaj sfide trajneri Gasperini është shprehur se duhet të jetë në një mbrëmje speciale për t’ia dalë kundër Paris SG. Sipas italianit këtë ndeshje do ta vulosin gabimet, ndërsa Luis Enrique, trajneri i Paris SG që dikur ka drejtuar Romën, është shprehur se ‘verdhekuqtë janë një ekip sypatrembur dhe do të jetë e vështirë fitorja’.
Në fushë sonte në orën 21:00 do të jetë edhe Interi, që pret në Guiseppe Meazza Stuttgart-in. Zikaltërit ndeshjet e fundit kanë patur shumë ulje-ngritje dhe në Champions nuk duhet të diskutohen 3 pikët për të shpresuar në ‘top-8-she’, që gjithsesi duket e ndërlikuar. Nga minuta e parë priten Thuram dhe Pio Esposito, ndërsa Lautaro ende nuk është gati për të qenë titullarë.
Në Francë Bayern-i i shumë munguesave do të luajë kundër Lille me qëllimin e vetëm 3 pikët, ndërsa Club Brugge do të presë në Belgjikë Liverpool-in. Edhe anglezët konsiderojnë vetëm fitoren për të qenë në top-8, ndërsa sfidat e tjera të orës 21:00 janë Atletico Madrid-Viking dhe Sporting-Manchester United.
Mbrëmja do të nisë që në orën 18:45 me Barcelonën që luan në transfertën azerbajxhanase të Sabah Baku-t, Slavia Prague përballet me Villareal.









Komente
Komento