Ka marrë fund pas disa orësh ankthi kriza e pengjeve në një supermarket në Kartagjenë, një prej destinacioneve turistike më të njohura të Kolumbisë. Forcat e sigurisë kanë arritur të lirojnë të gjithë personat që mbaheshin peng, ndërsa një prej autorëve të armatosur është vrarë gjatë operacionit.
Lajmi për përfundimin e operacionit u konfirmua nga presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, i cili njoftoi se të gjithë pengjet ishin tashmë të lirë.
Kriza kishte nisur të martën, pas një tentative të dështuar për grabitjen e një automjeti të blinduar që transportonte para. Autorët morën peng punonjës dhe klientë të një supermarketi të rrjetit Éxito, në zonën La Castellana.
Fillimisht, sipas autoriteteve, rreth 30 persona mbaheshin peng. Pas disa orësh negociatash, policia arriti të siguronte lirimin e 10 prej tyre, mes të cilëve edhe disa gra të moshuara.
Rreth 20 persona të tjerë mbetën në duart e autorëve të armatosur deri në ndërhyrjen përfundimtare të forcave të sigurisë.
Ngjarja shkaktoi një mobilizim të madh të forcave policore dhe ushtarake, ndërsa vetë presidenti kolumbian udhëtoi drejt Kartagjenës, ku zhvilloi takime me drejtuesit e strukturave të sigurisë.
Pengmarrja mbajti në ankth për orë të tëra qytetin bregdetar, i njohur ndërkombëtarisht për qendrën e tij historike, arkitekturën koloniale dhe plazhet e Karaibeve, që tërheqin çdo vit turistë nga e gjithë bota.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura të gjitha detajet mbi fatin e autorëve të tjerë të pengmarrjes.










