E mërkurë, 25 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Spiropali nxjerr prapaskenat: 40 veta s’e ngritën dorën në grupin e PS për përjashtimin tim
Lajme

Spiropali nxjerr prapaskenat: 40 veta s’e ngritën dorën në grupin e PS për përjashtimin tim

Elisa Spiropali nuk ka ndërmend të tërhiqet nga skena politike pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Në një dalje për mediat, ish-kryetarja e Kuvendit deklaroi se nuk ka bërë asgjë për të cilën duhet të ndihet e turpëruar dhe se do të vijojë qëndrimet e saj politike, duke mos përjashtuar një betejë më të gjerë për ndryshimin e modelit të drejtimit të PS-së.

E pyetur nëse do të ndërmarrë nismën për krijimin e një lëvizjeje të re politike, Spiropali u shpreh se vazhdon ta konsiderojë veten një socialiste të bindur dhe pjesë të së majtës. Megjithatë, nga deklaratat e saj la të kuptohet se pakënaqësia ndaj mënyrës se si funksionon aktualisht Partia Socialiste shkon përtej një përplasjeje personale me drejtimin e saj.

“Jam një socialiste e bindur, e majtë, por e konsideroj veten një shqiptare të mirë, një patriote të këtij vendi. Nuk di që në detyrat e mia publike të mos kem bërë ndonjë detyrë. E kam përfaqësuar Shqipërinë mirë, atje ku meriton të përfaqësohet. Do ta bëj betejën time aty”, deklaroi Spiropali.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj, deputetja ia kushtoi mënyrës se si u vendos përjashtimi i saj nga grupi parlamentar socialist. Ajo pretendoi se procesi nuk u shoqërua me një votim të mirëfilltë dhe se rreth 40 deputetë nuk e ngritën dorën gjatë mbledhjes ku u mor vendimi.

Spiropali e cilësoi këtë mënyrë veprimi si arbitrare dhe kritikoi mungesën e hapësirës për t’u dëgjuar përpara marrjes së një vendimi që e prek drejtpërdrejt.

“As Kadri Hazbiu dhe as Koçi Xoxe nuk bënin këto që të mos fliste ai që akuzohej. Unë më shumë se të gjithë e kam ngritur dorën për të bërë beteja brenda mazhorancës. Kam mbajtur debatin brenda PS-së, me Berishën, se ai këtë model do. Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla që më shumë se legjitimitet shprehin arbitraritet të vendimmarrjes së pak njerëzve”, u shpreh ajo.

Spiropali: Nuk kam arsye të largohem, duhet të largohen ata që kanë abuzuar me pushtetin

Ish-ministrja e Jashtme theksoi se nuk e sheh largimin e saj nga Partia Socialiste si zgjidhjen e situatës dhe se, sipas saj, përgjegjësia për krizën politike duhet kërkuar te ata që kanë ushtruar pushtetin në mënyrë abuzive dhe arrogante.

Ajo deklaroi se largimi duhet të prekë personat që, sipas saj, kanë dëmtuar interesin publik përmes vendimmarrjeve të tyre dhe kanë kontribuar në krijimin e një klime frike e mosbesimi brenda mazhorancës.

“Për t’u larguar, duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, që vendimmarrja e tyre ka ndikuar në jetën e njerëzve, ata që kanë abuzuar me pushtetin apo tregojnë arrogancë në çdo shfaqje të tyre, ata që na kanë sjellë në këtë pikë ku deputetët e PS-së kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin”, deklaroi Spiropali.

Në vijim, ajo iu drejtua socialistëve, të majtëve dhe forcave progresiste që, sipas saj, kërkojnë ndryshimin e modelit politik, duke theksuar se kjo nuk duhet të nënkuptojë rikthim te praktikat e së kaluarës.

Spiropali solli në vëmendje edhe figurën e Fan Nolit, duke e vendosur atë në kontrast me Koçi Xoxen, për të argumentuar se Partia Socialiste duhet t’u rikthehet vlerave dhe rrënjëve të saj historike.

“Unë nuk kam arsye të largohem nga fronti, por u bëj thirrje të majtëve, socialistëve, progresistëve-demokratë, jo kthim pas në reminishencat e vitit 1974, por atyre që besojnë se PS-ja i ka rrënjët te Fan Noli dhe jo te Koçi Xoxe”, tha ajo.

Flamingot, sinjali që sipas Spiropalit duhet të kuptonte mazhoranca

Gjatë deklaratës, deputetja iu referua edhe protestave të lëvizjes “Flamingot”, duke i cilësuar si një sinjal që politika duhet ta kishte marrë seriozisht. Sipas saj, protestuesit nuk kërkojnë thjesht ndryshimin e një individi, por kundërshtojnë një model qeverisjeje dhe përfaqësimi që nuk u jep zë qytetarëve.

Ajo paralajmëroi se pushteti nuk mund të mbështetet vetëm te votat e marra në zgjedhje, nëse më pas humbet besimin e qytetarëve.

“Ishte momenti që ta kuptonim me protestën e Flamingove. Ishte momenti për të kuptuar se pushteti mbahet nga besimi. Të kanë dhënë votën, por mund të të kthejnë shpinën dhe të mos të japin më besim”, u shpreh Spiropali.

Në përfundim, ajo e zgjeroi kritikën përtej konfliktit të saj me drejtimin e PS-së, duke e cilësuar situatën si problem të një modeli politik që, sipas saj, nuk garanton përfaqësim real.

Spiropali këmbënguli se beteja e saj do të vijojë dhe se përjashtimi nga strukturat socialiste nuk e ka detyruar të heqë dorë nga bindjet politike. Ndërsa për mundësinë e krijimit të një lëvizjeje të re, ajo nuk dha një njoftim konkret, por la të hapur angazhimin e saj në një përpjekje më të gjerë për ndryshimin e modelit aktual politik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.