Kryetari i Komunës së Butelit Darko Kostovski, nuk u përgjigj kur u pyet nga gazetarët se pse nuk e zbatoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve në parkun e ri të Butelit.

Gjatë një konference për shtyp, ai u pyet dy herë nga gazetarët pse nuk e zbaton ligjin dhe në përgjigjen e tij fliste për tema tjera, ndërsa një herë e ftoi gazetarin që ta shijojë parkun.


"Ju dëshiroj nga zemra që edhe ju ta shijoni parkun, të vini ta vizitoni", tha Kostovski, duke mos u përgjigjur në pyetjen se pse nuk e zbaton Ligjin për përdorimin e gjuhëve.



Në hyrje të parkut të ri të Butelit, fillimisht ishte vendosur mbishkrimi vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa kjo shkaktoi edhe përplasje në Këshillin e Komunës.

Më vonë, disa qytetarë me vetiniciativë vendosën edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe.

Ndryshe, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë mbi 14 mijë shqiptarë, apo 37,1 për qind e popullsisë rezidente, ndërsa maqedonasit përbëjnë 44,8 për qind, me rreth 17 mijë banorë./Telegrafi/