Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar dhe ka urdhëruar kthimin në vendin e origjinës të tre ngarkesave ushqimore gjatë muajit nëntor, në pikat kufitare të Durrësit dhe Morinës. Në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës janë bllokuar dy ngarkesa me 54 tonë mish pule të importuara nga Brazili. Vendimi për kthimin në vendin e origjinës së këtyre dy ngarkesave të importuara nga subjekti ZICO sh.a është marrë, pasi ka rezultuar se të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me ato në sistem. Ndërkohë, në Pikën Kufitare të Morinës është refuzuar një ngarkesë nga Kosova me 7 tonë miell gruri dhe 18 tonë hime gruri. Sipas AKU-së, produktet kishin mungesë të theksuar dokumentacioni, nuk u lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, nuk kishin numër serie dhe u mungonte fleta e analizës për aflatoksinën. Gjatë muajit nëntor janë kontrolluar në total 5277 ngarkesa ushqimore e bujqësore në të gjitha pikat kufitare dhe janë analizuar 167 mostra, prej të cilave nuk kanë rezultuar shkelje të tjera deri më tani.