“A ia ka mbyllur derën Edi Ramës?” Spiropali zbulon a ka komunikuar me kryeministrin pas përjashtimit nga PS
Elisa Spiropali ka folur për raportin e saj me kryeministrin Edi Rama dhe mundësinë e një rikthimi në tryezën e diskutimeve, në rast se ky i fundit do ta ftonte sërish. E pyetur nëse do t’i bashkohej një ftese të tillë, Spiropali u shpreh se çështja nuk lidhet me dyert që mund t’i hapin apo mbyllin njëri-tjetrit, por me drejtimin që po merr vendi.
Ajo theksoi se nuk ka asnjë interes për poste ekzekutive dhe se qëndrimet e saj nuk lidhen me karrierën personale.
“Nuk është puna se cilat dyer i hapim apo i mbyllim njëri-tjetrit, pyetja është çfarë dyersh po hapim ne për vendin. Që këtu nuk gjen dot të drejtën nëse nuk je me më të fortin. Se mund të të shkatërrohet jeta për një çast. Unë nuk kam asnjë interes për asnjë post ekzekutiv. Po ju them që nuk është çështje e karrierës personale”, u shpreh Spiropali.
E pyetur nëse ia ka mbyllur derën Edi Ramës, deputetja socialiste tha se nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë, ndërsa bëri një deklaratë lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes në mbledhjet e partisë.
“Unë nuk kam mbyllur asnjë derë. Do të jetë hera e parë në histori që një grua do të tentojë të hyjë në një mbledhje me roje dhe me polici”, deklaroi ajo.
Në fund, Spiropali bëri të ditur se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin Edi Rama.
/vizionplus.tv




