Brukseli pret sot samitin midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku diskutimet do të përqendrohen te integrimi i rajonit, forcimi i bashkëpunimit politik dhe përballimi i sfidave të përbashkëta. Takimin do të drejtoshin presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të cilët, sipas mediave vendase, synojnë të ruajnë ritmin e zgjerimit të bllokut. Liderët do të shqyrtojnë ecurinë e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me vëmendje të veçantë ndaj Planit të Rritjes dhe mundësive për zgjerimin e përfitimeve që ai ofron për rajonin.
Në fokus është procesi i anëtarësimit të Malit të Zi, i cili synon të përmbyllë negociatat për të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti. Samiti mund të jetë i fundit ku Mali i Zi merr pjesë me statusin e kandidatit, përpara kalimit në fazën e aderimit, megjithëse nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit nuk pritet të ndodhë përpara qershorit të vitit të ardhshëm. Përtej çështjeve të zgjerimit, liderët do të diskutojnë edhe forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit, në kushtet e tensioneve ndërkombëtare.
Një nga veçoritë e këtij takimi është mungesa e Serbisë, e cila për të dytën herë radhazi nuk do të përfaqësohet në nivelin më të lartë politik. Presidenti në detyrë dhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiç, nuk do të jetë i pranishëm; mungesa e tij është mirëkuptuar nga zyrtarët europianë për shkak të situatës tranzitore politike në Beograd pas zgjedhjeve. Një ndër çështjet kryesore të axhendës pritet të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; liderët evropianë do të theksojnë se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet pengesë për avancimin e tyre drejt integrimit evropian.
Samiti i fundit midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në fillim të qershorit në Tivat të Malit të Zi, ku mori pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. (Top Channel)

