Wednesday / November 25 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Sigurimi i detyrueshëm motorik drejt standardeve europiane: Çfarë ndryshon për qytetarët dhe tregun?

Share Share Icon

Aranit Muja/ Drejtor i Administrimit të riskut/AMF

 

Sigurimi i detyrueshëm motorik zë një vend të rëndësishëm në tregun shqiptar të sigurimeve dhe është ndër sigurimet me të cilat qytetarët kanë kontaktin më të drejtpërdrejtë. Nëpërmjet tri produkteve të tij, MTPL-së së brendshme, Kartonit Jeshil dhe Sigurimit Kufitar, çdo vit regjistrohen rreth 1.2 milionë kontrata sigurimi, çka dëshmon për përmasat dhe peshën e tij në treg.

Përtej detyrimit ligjor, sigurimi mundëson që pasojat financiare të një aksidenti, të cilat mund të jenë të konsiderueshme për një individ apo familje, të mbulohen nëpërmjet një mekanizmi të organizuar të transferimit dhe shpërndarjes së riskut. Nisur nga kjo rëndësi, përmirësimi i vazhdueshëm i kuadrit ligjor dhe rregullator përbën një element thelbësor për forcimin e mbrojtjes së qytetarëve dhe funksionimin efektiv të tregut të sigurimeve.

Në këtë kontekst dhe si pjesë e angazhimeve në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar projektligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2009/103/KE, të ndryshuar. Përtej harmonizimit, ndryshimet e propozuara kanë në qendër mbrojtjen e konsumatorëve dhe funksionimin më efektiv të sistemit të dëmshpërblimit.

Një nga elementet thelbësore të kësaj mbrojtjeje është niveli i mbulimit financiar që ofron sigurimi, veçanërisht në rastet e aksidenteve me pasoja të rënda, ku dëmet mund të arrijnë vlera të konsiderueshme. Në këtë drejtim, projektligji parashikon rritjen graduale të kufijve minimalë të përgjegjësisë së shoqërive të sigurimit, me synimin për t’i përafruar ato me standardet e BE-së. Aktualisht, për kategorinë e autoveturave, kufiri minimal i përgjegjësisë për dëmet ndaj personit është 75 milionë lekë për ngjarje dhe 32 milionë lekë për çdo person të dëmtuar, ndërsa për dëmet ndaj pronës është 15 milionë lekë për ngjarje. Në fazën fillestare projektligji parashikon rritjen e tyre përkatësisht në 100 milionë, 45 milionë dhe 20 milionë lekë.

Kjo rritje do të vijojë në mënyrë graduale me synimin që në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE të zbatohen kufijtë minimalë të harmonizuar me standardet evropiane, konkretisht 6.45 milionë euro për dëmet ndaj personit për ngjarje, ose 1.3 milionë euro për çdo person të dëmtuar, si dhe 1.3 milionë euro për dëmet ndaj pronës për ngjarje. Gjithsesi, duhet mbajtur në vëmendje se rritja e kufijve të përgjegjësisë nuk nënkupton automatikisht rritjen e vlerës së dëmshpërblimit për çdo aksident, pasi vlera konkrete përcaktohet në bazë të dëmit të shkaktuar dhe kritereve përkatëse të vlerësimit. Rëndësia e këtyre kufijve qëndron në rritjen e kapacitetit të mbulimit financiar të sigurimit, veçanërisht për ngjarjet me pasoja të rënda.

Krahas rritjes së kufijve minimalë të përgjegjësisë, projektligji parashikon përfshirjen e shprehur të pasagjerëve në kategorinë e palëve të treta që përfitojnë mbrojtje nga sigurimi i detyrueshëm motorik. Ky parashikim synon të qartësojë dhe zgjerojë mbulimin në sigurim, duke forcuar mbrojtjen e personave të dëmtuar.

Përveç përcaktimit të mbulimit, rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si realizohet dëmshpërblimi. Në praktikë, për personin e dëmtuar, koha e pagesës mund të jetë po aq e rëndësishme sa vlera e dëmshpërblimit, sidomos kur aksidenti ka sjellë shpenzime mjekësore, paaftësi për punë ose ndërprerje të të ardhurave. Për këtë arsye, projektligji synon t’i bëjë më të qarta detyrimet e shoqërive të sigurimit gjatë trajtimit dhe pagesës së dëmeve.

Projektligji ruan afatet e përcaktuara për trajtimin e kërkesave dhe forcon detyrimin e shoqërive të sigurimit për të paraqitur oferta të argumentuara ose përgjigje të arsyetuara. Një element me rëndësi është detyrimi për pagesën e shumës së ofruar nga shoqëria e sigurimit brenda afateve ligjore, edhe kur pala e dëmtuar nuk e pranon ofertën e paraqitur ose nuk i përgjigjet asaj. Ky parashikim i mundëson personit të dëmtuar të përfitojë më shpejt kompensimin financiar, edhe në rastet e mosmarrëveshjeve me shoqërinë e sigurimit. Gjithashtu, projektligji parashikon rritjen e pragut për trajtimin e përshpejtuar të dëmeve ndaj pronës, si dhe rritjen e kufirit për përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit.

Mbrojtja e personave të dëmtuar merr rëndësi të veçantë edhe në rastet kur aksidenti shkaktohet nga mjete të pasiguruara ose të paidentifikuara, si dhe kur një shoqëri sigurimi hyn në proces likuidimi apo falimentimi. Për këto situata, projektligji parashikon forcimin e mekanizmave të kompensimit, nëpërmjet rolit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit dhe Fondit të Kompensimit.

Krahas forcimit të mekanizmave kombëtarë të mbrojtjes, projektligji krijon bazën ligjore për integrimin e sistemit shqiptar të sigurimit motorik me mekanizmat përkatës të BE-së. Kjo merr rëndësi të veçantë në kushtet e lëvizjes ndërkufitare të mjeteve dhe qytetarëve, ku trajtimi i një aksidenti mund të përfshijë shoqëri sigurimi dhe institucione të vendeve të ndryshme. Në këtë kuadër, parashikohet zbatimi i mekanizmave të bashkëpunimit ndërkufitar, përfshirë përfaqësuesit e autorizuar për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, Zyrën e Kompensimit dhe shkëmbimin e informacionit me institucionet homologe të shteteve anëtare të BE-së.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me parimin e primit të vetëm, sipas të cilit kontrata e sigurimit të detyrueshëm motorik do të sigurojë mbulim në të gjithë territorin e BE-së. Këto mekanizma parashikohen të zbatohen nga momenti i anëtarësimit, duke krijuar kushtet për një sistem më të integruar dhe për një mbrojtje më efektive të personave të dëmtuar në aksidente me elemente ndërkufitare.

Në tërësi, rëndësia e kësaj reforme shkon përtej përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivën evropiane. Rritja e kufijve të përgjegjësisë, zgjerimi i mbulimit në sigurim dhe forcimi i mekanizmave të dëmshpërblimit synojnë të përmirësojnë mbrojtjen financiare të qytetarëve dhe funksionimin e tregut. Megjithatë, rezultatet e reformës do të varen nga zbatimi efektiv i kuadrit të ri ligjor, kapaciteti i tregut për t’iu përshtatur kërkesave të tij dhe respektimi i të drejtave të personave të dëmtuar. Në fund të fundit, besimi i qytetarëve te sigurimi i detyrueshëm motorik ndërtohet jo vetëm mbi mbulimin që parashikon kontrata, por mbi sigurinë se dëmet do të vlerësohen në mënyrë të drejtë dhe do të dëmshpërblehen brenda afateve ligjore.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Ministria e Financave debat me prodhuesit për barazimin e akcizës së duhanit me cigaret

Vijon debati për barazimin e akcizës së duhanit fine cut mes Ministrisë së Financave dhe grupeve të interesit, të propozuar me paketën e re fiskale...

1 hour më parë 6 Min Lexim
Fintech SEPA

Studimi i BB: SEPA solli ulje drastike të kostos së transfertave në Ballkanin Perëndimor

Përfshirja në Zonën Unike Europiane të Pagesave (SEPA) ka sjellë ulje drastike të kostos së transfertave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ba...

2 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!