Prokuroria e Posaçme ka paraqitur pretencën për dhjetë të pandehurit e dosjes së trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, ku droga fshihej në ngarkesa me lëkurë kafshësh dhe përpunohej në laboratorë të ngritur në vendin tonë.
SPAK ka kërkuar dënimin më të lartë, 15 vite burg, për Artion Çaushllarin, që me gjykim të shkurtuar zbret në 10 vite burg.
Për Aldi Zonja është kërkuar dënimi me 14 vite burg, ose 9 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar. Të njëjtën masë, 14 vite burg, me reduktim në 9 vite e 4 muaj, SPAK ka kërkuar edhe për Geis Sejfullain, Ismail Abdurrahmanin, Jose Ramon Zakarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Seranon.
Për Klajd Birçen është kërkuar dënimi me 13 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 8 vite e 8 muaj. Për Hiëlenn Ledezma Narvaez është kërkuar dënimi me 4 vite burg. Ndërsa për Endi Sejdinin është kërkuar dënimi me 12 vite burg, ose 8 vite me gjykim të shkurtuar. Për Baki Huqin SPAK ka kërkuar 10 vite burg, që reduktohen në 6 vite e 8 muaj.
Dosja lidhet me një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës, i cili përdorte ngarkesa me lëkurë kafshësh të kriposura për të futur drogën në Shqipëri nga Republika Dominikane. Sipas hetimeve, grupi kishte porositur dhjetëra tonë lëkurë gjedhësh, brenda të cilave ishte fshehur lënda narkotike.
Në nëntor 2024, gjatë operacionit të SPAK-ut, u zbulua një laborator për përpunimin e kokainës në Qerekë të Krujës, si dhe ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës. Në operacion u arrestuan shtatë shtetas shqiptarë dhe tre shtetas nga Amerika Latine, të dyshuar si ekspertë të përpunimit të kokainës.
Sipas të dhënave të hetimit, në dy ngarkesa të mbërritura në Portin e Durrësit në korrik dhe nëntor 2024 u zbuluan rreth 90 kilogramë kokainë, me vlerë të përllogaritur në treg rreth 3.6 milionë euro. Në total, autoritetet sekuestruan rreth 48 tonë lëkurë kafshësh, si dhe pajisje laboratorike, lëndë kimike dhe shuma parash.
Hetimi për këtë rrjet nisi në vitin 2023, pas informacioneve për laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit, ku u zbuluan 485 kilogramë kokainë të fshehura në plehra kimikë. SPAK dyshon se rrjeti kishte bashkëpunim me organizata kriminale në Amerikën Latine dhe synonte furnizimin e tregjeve të Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.



