Elisa Spiropali ka artikuluar një tjetër thirrje për ndryshimin e modelit politik dhe elektoral në vend, duke kërkuar sistem proporcional me lista të hapura dhe marrëveshje politike mes forcave që synojnë ndryshimin. Ajo deklaroi se modeli aktual nuk e çon Shqipërinë përpara dhe se është e nevojshme të bashkohen socialistët, demokratët dhe të gjithë ata që nuk ndihen të përfaqësuar.
Duke iu referuar përjashtimit të saj nga grupi parlamentar i PS-së, Spiropali tha se mbetet e hapur për komunikim me të gjithë, ndërsa u bëri thirrje atyre që, sipas saj, i mbyllën dyert në mënyrë arbitrare, t’i hapin ato sërish.
“Kur fëmijët e mi nisen për shkollë në mëngjes, u them: Guximi është ngjitës. Guximin ke humbur, gjithçka ke humbur. Do të ishte më mirë të mos kishte lindur. Këtë u them fëmijëve të mi. Mos të fshihemi pas gishtit, të marrim përgjegjësi dhe të mos ankohemi. Mos t’ia lëmë vetëm Edi Ramës faturën në fund. Do të jem ndoshta e vetmja që ia kam thënë. Kam shumë miq aty e shokë që presin që ne të ndryshojmë, ose të lëvizim, të bëjmë marrëveshje politike.
Duhet të ketë garë të barabartë për të gjitha forcat politike. Të ketë sistem proporcional me lista të hapura, për të krijuar hapësirat e nevojshme. Të gjitha betejat që Shqipëria të shkojë në rrugë të mbarë do t’i bëjmë. Më shumë liri, më pak kontroll. Bashkimi i të gjitha forcave që janë progresiste, që duan një sistem më të mirë shoqëror, elektoral, politik dhe ekonomik, ndryshim të misionit. Ky model nuk na çon atje ku duhet, ndërpritet rruga jonë. Do të takojmë këdo, do të takojmë të gjithë. Socialistë, ata që nuk ndihen të përfaqësuar, demokratë. Sot është momenti kur shkon përtej misionit tonë. I kam dyert e hapura. Ata që i mbyllën dyert arbitrarisht, le t’i hapin.”, tha Spiropali.
