Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka shprehur ngushëllimet për familjet e pesë ushtarakëve që humbën jetën dje në Turqi, pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak gjatë një fluturimi stërvitor në provincën e Eskishehirit.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Nufi ka shprehur solidaritetin me homologun e tij turk dhe Forcat e Armatosura të Turqisë.

“Me dhimbje të thellë mësova për aksidentin tragjik të helikopterit ushtarak në Eskishehir. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e ushtarakëve që humbën jetën, homologun tim Jashar Guler dhe Forcat e Armatosura Turke. Shqipëria qëndron pranë Turqisë mike dhe aleate në këto momente dhimbjeje”, shkruan Nufi.

Helikopteri ushtarak i tipit AS-532, i Forcave Ajrore Turke, u rrëzua dje  pak kohë pasi ishte ngritur në fluturim për qëllime stërvitore. Ministria turke e Mbrojtjes konfirmoi humbjen e jetës së pesë ushtarakëve, ndërsa shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë.

Ky ishte aksidenti i dytë fatal me helikopter ushtarak në Turqi brenda pak javësh. Më 12 nëntor, një tjetër helikopter ushtarak i tipit S-70 u rrëzua në provincën e Malatias, duke shkaktuar vdekjen e katër pjesëtarëve të ekuipazhit.