Elisa Spiropali ka sfiduar hapur kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar hapjen e garës për kryetarin e Partisë Socialiste, pas 17 vitesh drejtimi të kësaj force politike nga Rama.
Në një deklaratë për mediat, Spiropali u shpreh se është e bindur për vullnetin e saj politik dhe për mbështetjen që gëzon te socialistët.
Ajo kërkoi që në Partinë Socialiste të hapet gara, duke theksuar se askush nuk është i pazëvendësueshëm dhe se nuk mund të ketë kryetar të përjetshëm.
“Nuk e di a më do apo s’më do Edi Rama! Di vullnetin tim. Di që më duan socialistët, se kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Kam bërë beteja shumë të vështira, jo vetëm në Kuvend përballë opozitës. Jam e majtë, progresiste e bindur. Nëse duan të bëjmë një garë popullariteti, të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Kemi statutin, por nuk është as Bibël dhe as Kuran. Nuk heq dorë nga mandati. Kam punuar jo vetëm për veten, por që të marrin vota edhe të tjerë. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, në Kukës, në Shkodër. S’e kam problem ta përfundoj karrierën time politike. I detyrohem forcës sime politike, e dua atë forcë. S’kanë lidhje me ato vendimmarrje! Sfida është kjo: të hapet gara në PS. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë mund të garojnë në PS. Pse, kush është i pazëvendësueshëm?”, tha ajo.












