Erlis Duka do të duhet të rikthehet në qeli për vrasjen e Santiago Malkos. Apeli i Posaçëm ka prishur vendimin e shkallës së parë për pafajësinë e tij dhe e ka dënuar me 28 vite burg vëllanë e Leonard Dukës.

Në vendimin e mëparshëm, gjykata e shpallit të pafajshëm pasi SPAK nuk gjeti prova për implikimin e tij në atentatin ndaj ish-policit.

Për të dënuarit e tjerë është lënë në fuqi vendimi i shkallës së parë me 130 vite burg.

Leonard Duka u dënua me 30 vite burg, një prej emrave më të përbetuar në armiqësi me Ervis Martinajn, si organizator dhe porositës i vrasjes gjakftohtë. Me nga 25 vite brg vendosi gjykata për Fatmir Hysenin, Aleksandër Manxhakun, Dritan Agën, Blendi Tetën dhe Oltian Logën.

Santiago Malko, ish-punonjës policie dhe krahu i djathtë i Ervis Martinajt, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e "Xhamllikut" në Tiranë, në kohën kur po lëvizte me një automjet BMW X5. Ai u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash.